Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate ka komentuar pesë kushtet e kryeministrit Albin Kurti, për deeskalim të situatës në veri.
Ai thotë se Kurti ka vendosur edhe më herët kushte dhe se mbetet të shihet nëse edhe këto do ta kenë fatin si ato të mëparshmet.
“Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Kurti vë kushte për çështjen e veriut të vendit. Të shohim nëse kushtet e vendosura sot do të kenë të njëjtin fat sikur kushtet e mëparshme apo do të qëndrojë deri në fund”, thotë ai për Gazeta Blic.
Ai ka përmendur gjashtë kushtet e Kurtit për Asociacionin, që më nuk i përmend askush.
“Në veçanti ia vlen të përmenden 6 kushtet e vendosura nga Kurti për themelimin e asociacionit pët të cilat nuk flet më askush nga qeveria! Po i sjell ketu për publikun 6 kushtet e vendosura nga Kurti!
1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës
2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit per vetëqeverisje lokale (kreu 5).
3. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
5. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013)”, potencon Sherifi.
Ai uron “që kushtet e vendosura sot të kenë një jetëgjatësi më të madhe se 6 kushtet e famshme”.
Madje, Sherifi ironizon duke thënë se më gjatë ka rezistuar fusnota e Edita Tahirit, se kushtet e vendosura deri tani nga Kurti.
“Fusnota e Edita Tahirit i ka rrezistuar shkrirjes më gjatë se të të gjitha kushtet e kryeministrit Albin Kurti të vendosura deri më sot”, deklaron Bilall Sherifi./Gazeta Blic/


