Lajme

Shërbimi ukrainas pretendon: Forcat ruse nuk janë më të afta për veprime sulmuese

05/16/2023 10:56
nga:Astrit Gashi

Oficerët e inteligjencës ushtarake ukrainase pohojnë se forcat ruse në Ukrainë nuk janë më të afta për veprime sulmuese në shkallë të gjerë dhe janë kryesisht të përkushtuara ndaj mbrojtjes.

Moska ka aktualisht kapacitete vetëm për të ruajtur intensitetin aktual të sulmeve raketore, kanë theksuar zyrtarët ukrainas.

Zëdhënësi i inteligjencës ushtarake ukrainase Andriy Yusov i tha televizionit ukrainas mbrëmë se, kur bëhet fjalë për “gjatësinë e të gjithë vijës së frontit”, forcat ruse janë “në mbrojtje” dhe se atyre u mungojnë burimet që do t’i lejonin ata të “përsërisnin operacionet e gjëra ofensive”, shkruan GazetaBlic.

“Gjatë gjithë kësaj kohe ata po përgatiten për mbrojtje dhe ky është një faktor i rëndësishëm që komanda ukrainase e merr shumë seriozisht kur përgatitet për de-okupimin e territorit ukrainas”, shtoi Yusov.

Zëdhënësi pretendon se objektivi i sulmeve raketore ruse ka ndryshuar dhe se intensiteti i tyre është dobësuar që nga dimri kur forcat ruse sulmuan rregullisht infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Ai shtoi se forcat ruse kanë tani mangësi të raketave si Kalibër.

“Ata po kërkojnë në mënyrë aktive mënyra për të kompensuar këtë… ata po kërkojnë armë në të gjithë botën. Deri më tani ata nuk kanë qenë shumë të suksesshëm,” tha Yusov, duke shtuar se pavarësisht kësaj, forcat ruse “janë në gjendje të mbajnë intensiteti i sulmeve me raketa, të paktën tani për tani”.

Ai vlerëson se rusët kanë një rezervë të madhe të raketave S-300, të cilat mund të shkaktojnë shumë dëme. Këto janë raketa të dizajnuara si armë kundërajrore, por përdoren rregullisht nga rusët për të sulmuar objektivat tokësore, shkruan GazetaBlic.