Sporti

Shënoi supergol nga goditja e këndit, Asllani: S’më kishte ndodhur më parë, Interi me grup fantastik

12/20/2024 13:19
nga:N K

Pasi shënoi supergolin nga goditja e këndit në fitoren 2-0 të Interit kundër Udineses për 1/8 e Kupës së Italisë, Kristjan Asllani tha pas ndeshjes se grupi i lojtarëve te zikaltërit është fantastik, ndërsa pranoi se goli erdhi pasi kishte fatin në krah.

“Goli olimpik? Nuk më kishte ndodhur asnjëherë më parë, por ishte fat.

I rëndësishëm nuk është goli, por që fituam dhe jemi në çerekfinale. Jemi shumë të lumtur pasi po i japim vazhdimësi rezultateve tona. Jemi të lumtur dhe duam të vazhdojmë kështu.

A janë të gjithë titullarë në këtë ekip? Po, por nuk është kjo e rëndësishmja, por grupi.

Jemi një grup fantastik, ka një kimi mes nesh që është e jashtëzakonshme, brenda dhomave të zhveshjeve dhe jashtë tyre.

Ka të rinj, ka eksperiencë dhe duhet të vazhdojmë kështu kompaktë.

Dhe meqë ra fjala, dua të falënderoj Arnautoviç, pasi i ndihmon shumë të rinjtë, edhe ata që vijnë nga ekipi Primavera dhe për ne është shumë e rëndësishme që të kemi lojtarë të tillë në grup”, tha Asllani për “Sport Mediaset”.

‘Kristjani mori Interin në duart e tij dhe e çoi në çerekfinale.

Ai e bëri këtë me një paraqitje solide me 57 topa të prekur, 45 pasime pozitive, nëntë gjuajtje (vetëm Martinez bëri më shumë) dhe një gol nga këndi’.