Lajme

Shenja ndaluese ne një shkollë në Gjakovë, për ndalimin e shamisë, armëve dhe duhanit, nxiti reagime të shumta

04/01/2022 01:29
nga:Astrit Gashi

Shenja ndaluese, e vendosur në murin e shkollës “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, për ndalimin e shamisë, armëve dhe duhanit në brendësi të objektit të shkollës, ka nxitur reagime të shumta.

Imami Labinot Maliqi, i ka reguar drejtpërdrejt kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, duke thënë se drejtorja e shkollës, Florentina Gjergjaj është nga radhët e AAK-së.

Porositë e imamit për Haradinajn, janë shoqëruar me gjuhë të ashpër.

Ai ka thënë se gratë e partisë së tij po bëjnë veprime fashiste.

“Ramush Haradinaj, nëse t’u kanë lodh mashqit, kujdes me gratë e partisë të cilat me veprime fashiste në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit po e luftojnë besimin e 98,6% të popullit të Kosovës. Pastaj mos thuaj se unë e respektoj Islamin, hoxhallarët dhe besimtarët e devotshëm, ndërsa në anën tjetër heshtë përballë veprimeve fashiste dhe islamofobe të kryera nga bashkëpartiakët tuaj. Drejtoresha e shkollës së mesme teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, Florentina Gjergjaj, e cila vije nga radhët e AAK-së, me plot mllef dhe fashizëm ka vendosur në hyrje të institucionit shenjën kundër vendosjes së shamisë në shkollë, duke e barazuar atë me pistoletën, duhanin dhe dukuritë e tjera negative”, ka thënë ai.

Imami Maliqi, po ashtu, i ka bërë thirrje ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci që ta shkarkojë menjëherë nga pozita drejtoren.

“Për shkak të këtyre veprimeve fashiste, islamofobe, nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit fetar, veprime të cilat e kanë prishur qetësinë dhe rendin tonë publik, i bëjë thirrje Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që ta shkarkoj menjëherë nga pozita e saj drejtoreshën Florentina Gjergjaj. Në të kundërtën, do të padisim MASHT-in për heshtje ndaj këtyre veprimeve të dëneshme me ligj, apo marrjen e masave të lehta përballë kësaj situate tepër të rëndë dhe serioze. Si shtet demokratik që jemi dhe jo komunist, shkollimi dhe bartja e shamisë është e drejtë elementare njerëzore dhe nuk do të mund kurrë askush ta pengoj”, ka thënë ai.

Ka reaguar edhe Hoxhë Husamedin Abazi, i cili ka thënë se ndalimi i mbulesës në Shkollën e Mesme Teknike në Gjakovë, në shenjën ndaluese bashkë me armët, pijet alkoolike e duhanin, ishte skandal që s’ka mundur të paramendohet.

“Vërtet ishim të shokuar nga një çështje e tillë, të cilën nuk mund ta paramendonim se mund të na ndodhë, sidomos në institucionet ku do të duhej të reflektojnë kulturë, arsim dhe edukim. Ajo që vërtet ka ndodhur në këtë shkollë është e pafalshme, megjithëse na gëzon fakti që shpejt u intervenua dhe është larguar ajo reklamë, e cila veç edukim dhe kulturim i nxënësve tanë nuk është. Ka qenë një skandal, të cilin shpresojmë që mos ta bëjë asnjë shkollë tjetër, e mos të them Ministria e Arsimit apo institucionet lokale të komunave të ndryshme”, tha Hoxhë Abazi.

Ndaj vendimit të shkollës ka reaguar edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje e cila është drejtuar drejtores së kësaj shkolle, Forentina Gjergjaj, duke e pyetur publikisht se në cilat ligje të vendit e ka bazuar vendosjen e simboleve ndaluese.

“Drejtoresha e Shkollës së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë znj. Florentina Gjergjaj, nuk e di se, në bazë të cilës Kushtetutë apo ligji keni vendosur simbolet ndaluese?!!! Me një pjesë të simboleve jam dhe unë dakord. Mirëpo, me simbolin e një vajze me shami, krahasimi i simboleve në këtë mënyrë është skandaloz dhe gjithashtu ofendim për secilin qytetarë dhe Republikën tonë, papërjashtuar edhe besimet fetar”, ka shkruar deputetja në llogarinë e saj në Facebook.

Balje ka kërkuar sqarim edhe nga kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, për këtë veprim të shkollës.

“Unë nuk mund të jam indiferent dhe gjithashtu kërkojë një sqarim edhe nga Kryetari i Komunës së Gjakovës z. A. Gjini. Krahasimi i një arme që vret, me atë të një vajze me shami, për mua është vrasje e të drejtës së besimit të sajë!”, ka shkruar ajo.

Edhe opinionisti Abdullah Klinaku, ka reaguar ndaj shkollës në Gjakovë. Ai ka thënë se “nuk barazohet shamia me duhanin e armën”.

“Një qeveri serioze me një ministri të Arsimit që harton politika të mirëfillta arsimore e edukative e ndryshon urgjentisht udhëzimin administrativ i cili e barazon obligimin islam, shaminë, me vepra penale. Premtimi për këtë udhëzim ka sjellur shumë vota, e drejtësia nuk vihet në vend duke i injoruar premtimet. Madje një Komunë serioze, si kjo e Gjakovës, që është vend i njerëzve të nderuar e të respektuar është tepër punë e ligsht me leju këso veprimesh”, ka shkruar Klinaku.

Ai, ka thumbuar edhe kryetarin Gjini, duke ia përmendur slloganin e partisë së tij “Me besim në Zot, Atdhe e Shtet”.

“Një kryetar komune që është pjesë e një partie me slloganin me “Besim në Zot, Atdhe e Shtet” duhet të veprojë urgjent për largimin e këtij turpi dhe për marrjen e masave ndaj këtij veprimi. Naimi ka vepruar shumë drejt që e ka publikuar këtë skandal. E gjithë kjo me shpresën që sa më shpejt do të mirren masat e nevojshme”, ka shkruar në fund Klinaku.