Shefkide Azemi është njëra nga 70 banorët që jetojnë në ‘Shtëpinë e të Moshuarve-Jetimat e Ballkanit’ në Gjinovc të Suharekës.
Edhe pse ka vetëm tetë muaj që jeton aty e moshuara nga Gjilani shprehet jashtëzakonisht e kënaqur me kushtet që i ofrohen.
Ajo thotë për dokumentarin “Expose” se sjellja e stafit, pastërtia dhe gjithçka aty është si në hotel me ‘5 yje’.
“Ju falenderoj që keni ardhë me na vizitu. Jemi shumë të kënaqur që jemi në këtë vend, që jetojmë këtu. Kushtet janë jashtëzakonisht të mira edhe çdo gjë është në rregull.Pastërtia është në maksimum, sjelljet e stafit s’ka se si të jenë më mirë, janë të respektueshëm, na duan dhe i duam, gjithçka në rregull. Kushtet po shihen, shkëlqen çdo gjë, për të ngrënë kemi 3 herë në ditë. Bëjmë rekreacione, kemi sauna, kemi bazenin, kemi çdo gjë që i duhet një shtëpie. Na jemi pak me mërziat e tona, por ato i tejkalojmë shumë shpejt. Unë jam nga komuna e Gjilanit dhe këtu jam që 8 muaj dhe jam pak më fillestare se këto të tjerët por përshtypjet janë shumë të mira. Vendi këtu është si me qenë ndonjë hotel me 5 yje. Arsyet pse kam ardhë këtu kanë qenë të shumta. Pikë së pari kam qenë e martuar, pas njëfarë kohe kam kalu tek familja dhe kam mbet me nënën, ajo pas një kohe vdiq dhe unë mbeta vetë. Unë i kam edhe vëllezërit edhe motrat por secili në atë familjen e vet dhe kur mbeta pa nënen mbeta vet. Jeta ishte monotone dhe e pashë të arsyeshme diku me u mbështet” tha Azemi në intervistën dhënë për dokumentarin ‘Expose’, raporton “Gazeta Blic”.


