Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Bearbock, shprehu besimin se Finlanda dhe Suedia do të anëtarësohen shpejt në NATO, pavarësisht kundërshtimit të shprehur nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.
“Ka disa çështje të pazgjidhura, të ngritura nga pala turke,” tha ajo në Berlin, raporton Reuters.
Ajo shtoi se këto çështje të pazgjidhura janë duke u diskutuar, por personalisht është e bindur se dy vendet do të bashkohen shpejt.
“Të gjithë e dinë se ky është një moment vendimtar, historik në një situatë shumë dramatike,” vuri në dukje Bearbock.
Ajo shtoi se anëtarët e Aleancës do t’u japin dy vendeve nordike garancitë e duhura të sigurisë nëse do të zgjaste faza kalimtare midis aplikimit të tyre dhe anëtarësimit të plotë.


