Lajme

Shefi i OKB-së viziton Gazën në një përpjekje të re për armëpushim

03/23/2024 16:00
nga:Y I

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres mbërriti të shtunën në qytetin Arish të Egjiptit për të vizituar kufirin me Gazën në një përpjekje të re për arritjen e një armëpushimi pas më shumë se 5 muajsh luftime mes Izraelit dhe Hamasit.

Sekretari Guterres do të vizitojë qytetin Al Arish në veri të rajonit Sinai në Egjipt, ku është dërguar dhe grumbulluar pjesa më e madhe e ndihmës ndërkombëtare.

Ai do të vizitojë edhe anën egjiptiane të kufirit në qytetin Rafah, një nga pikat hyrëse të ndihmave.

Vizita zhvillohet në një kohë që Izraeli ka kërcënuar se do të ndërmarrë një operacion të gjerë ushtarak në qytetin jugor të Gazës, Rafah, në kufi me Egjiptin, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare që kanë kundërshtuar një ofensivë të tillë.

Ndërsa shpresat për armëpushim gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit janë zbehur dhe gjendja humanitare në Gazë është përkeqësuar, Kombet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë dërguar ndihma humanitare me anije ose duke lëshuar paketa ushqimore nga ajri.

Por agjencitë humanitare thonë se vetëm 1/5 e ndihmave të nevojshme po hyn në Gazë dhe se mënyra e vetme për të plotësuar nevojat në rajonin bregdetar është përshpejtimi i dërgimit të ndihmave në rrugë tokësore.

Shtohet uria në Gazë

Izraeli, i cili është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin dhe ka ngritur shqetësim se grupi militant mund t’i devijojë ndihmat, ka mbajtur hapur vetëm një vendkalim tokësor dhe i ka mbyllur të gjitha të tjerat. Izraeli hapi në dhjetor pikë-kalimin Kerem Shalom, në afërsi të Rafahut dhe ka hedhur poshtë akuzat e Egjiptit dhe organizatave të ndihmave të Kombeve të Bashkuara se ka vonuar dërgimin e ndihmave.

Këtë javë, Nisma për Klasifikimin e Sigurisë Ushqimore, IPC paralajmëroi se veriu i Gazës pritet të përballet me uri dhe se mungesa e plotë e bukës dhe ushqimeve mund të shtrihej në pjesë të tjera të territorit në rast se nuk arrihet armëpushim.

Më shumë se 32,000 njerëz janë vrarë nga ofensiva ushtarake e Izraelit në Gazë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore që kontrollohen nga Hamasi.

Izraeli filloi operacionin në përgjigje të një sulmi të Hamasit në brendësi të Izraelit në të cilin u vranë rreth 1200 njerëz dhe më shumë se 250 u morën peng, sipas të dhënave izraelite./VOA/