Lajme

Shef i kabinetit të Konjufcës denoncon Përparim Ramën në “Facebook”

09/20/2023 12:50
nga:G B

Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ka denoncuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, për neglizhim të lagjes “Lakrishtë” dhe “Santea” nga ana e “Prishtina Parking”.

Kërçeli denoncimin e ka bërë me anë të një postimi në ‘Facebook’, teksa ka bashkëngjitur fotografi të vlugut të veturave të parkuara nëpër hapësirat e lagjeve përkatëse.

“Pavarësisht se Komuna vendosi komercializimin e parkingjeve publike të lagjeve të Prishtinës, duke i bërë me pagesë edhe për veturat e banorëve rezidentë, “Prishtina Parking” ka dështuar në zbatimin e këtij projekti. Banorë të lagjeve si Lakrishta apo Santea ankohen se “Prishtina Parking” i ka lënë këto lagje jashtë shërbimit”, ka shkruar ai.

Kërçeli ka rikujtuar edhe premtimin e Ramës për parking të madh nëntokësor në Lakrishtë, por që s’është duke ndodhur.

“Parkingu publik në Prishtinë ose duhet të jetë me pagesë për të gjithë e duke i favorizuar banorët rezidentë ose duhet të jetë siç ka qenë. Por, si me çdo gjë tjetër, projektet e P.Ramës ose nuk fillojnë fare ose dështojnë në gjysmë të rrugës”, tha ndër të tjera ai.