Lajme

SHBA shumë e qartë: Marrëveshja me Serbinë duhet të kryhet brenda këtij viti, kufijtë nuk preken

02/01/2022 15:13
nga:Gazeta Blic

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë duke insistuar me çdo kusht që marrëveshja me Serbinë të përfundoj brenda vitit 2022.

Të paktën ky ka qenë insistimi i Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë  dhe Miroslav Lajčak, Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, në takimet që kanë zhvilluar me liderët e institucioneve dhe me liderët e partive opozitare.

“Escobar e Lajcak kanë kërkuar nga drejtuesit e shtetit të Kosovës që brenda vitit 2022 të kryhet marrëveshja me Serbinë”, thanë burime të Gazeta Blic të afërta me takimet që kanë zhvilluar dy diplomatët me drejtuesit e institucioneve dhe me drejtuesit e partive opozitare.

Siç merr vesh Gazeta Blic, insistimi i tyre që marrëveshja të kryhet sivjet, ka të bëjë me momentumun e krijuar dhe nëse shtyhet kjo marrëveshje me Serbinë, atëherë kjo çështje do të shndërrohet në një problem për një afat shumë të gjatë.

Escobar e Lajcak kanë saktësuar se marrëveshja me Serbinë kornizohet në faktin se kufijtë nuk do të preken dhe se Kosova të jetë shtet funksional.

“Nuk do të lejohet krijimi i një shteti jofunksional, pra s’do të lejohet bosnizimi”, tha ky burim.

Escobar e Lajcak të hënën kanë takuar kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani, derisa sot kanë takuar liderët e tri partive opozitare: Memli Krasniqin e PDK-së, Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së.

Presidentja Vjosa Osmani pas takimit me Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajčák dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve, njëherit përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe u shpreh se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit.

“Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, potencoi Presidentja.

Duke vënë në pah konstruktivitetin e Kosovës, Presidentja, gjithashtu bëri të qartë se lista e marrëveshjeve që nuk janë zbatuar nga Serbia është e gjatë dhe duhet të trajtohet urgjentisht nëse duam të rivendosim besimin në procesin e dialogut. Ajo tha se Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel.

https://gazetablic.com/osmani-pas-takimit-me-escobar-dhe-lajcak-serbia-bllokuese-e-progresit-ne-dialog/

Escobar: SHBA mbështet pavarësinë e Kosovës, dialogu të drejtohet nga BE