“Ne kurrë nuk do të harrojmë, nuk do të dorëzohemi kurrë,” tha zoti Biden.
“Angazhimi ynë për të mos lejuar një sulm tjetër ndaj Shteteve të Bashkuara është i pashtershëm.”
Zoti Biden vuri në dukje se edhe pasi Shtetet e Bashkuara u larguan nga Afganistani, administrata e tij vazhdon të ndjekë ata që janë përgjegjës për sulmet e 11 shtatorit. Muajin e kaluar, zoti Biden njoftoi se një goditje amerikane kishte vrarë Ayman al-Zawahrin, udhëheqësin e Al-Kaidës që ndihmoi në komplotimin e sulmeve të 11 shtatorit.
Familjarët e viktimave dhe personalitete, përfshirë zonjën e parë Jill Biden, u mblodhën në Shanksville të Pensilvanisë, ku një nga aeroplanët e rrëmbyer u rrëzua pasi pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit u përpoqën të ndalnin rrëmbyesit që ishin drejtuar për në Uashington.
Komunitete të tjera anembanë vendit po e shënojnë ditën me vigjilje me qirinj, shërbesa ndërfetare dhe aktivitete të tjera. Disa amerikanë po marrin pjesë në projekte vullnetare në një ditë që njihet si Dita e Patriotëve si edhe Dita Kombëtare e Shërbimit dhe Përkujtimit.
Ceremonitë përkujtimore pasojnë një përvjetor të mbushur me histori vitin e kaluar që erdhi disa javë pas fundit kaotik të luftës në Afganistan që SHBA-ja e nisi si përgjigje ndaj sulmeve.
Por megjithëse këtë vit 11 shtatori mund të mos shënojë një pikë kthese, ai mbetet një pikë për reflektimi mbi sulmin që vrau afro 3000 vetë, nxiti një “luftë kundër terrorizmit” nga Shtetet e Bashkuara në mbarë botën dhe transformoi politikën e sigurisë kombëtare.
Ajo ditë ngjalli gjithashtu një ndjenjë krenarie kombëtare dhe uniteti për shumë njerëz, por nga ana tjetër i bëri muslimanët amerikanë për vite të tëra objekte dyshimi dhe paragjykimesh si edhe i dha shkas një debati mbi ekuilibrin midis sigurisë dhe lirive civile.
Pasojat e 11 shtatorit ndjehen në politikën dhe jetën publike amerikane deri sot, në mënyra të dukshme dhe të padukshme.
Po ashtu sulmet kanë transformuar për gjithmonë jetën personale të mijëra njerëzve që mbijetuan, që morën pjesë në ekipet e ndërhyrjes së shpejtë ose humbën të dashurit, miqtë dhe kolegët.
Disa nga të afërmit e atyre që humbën jetën shprehin keqardhjen që një komb që u bashkua pas sulmeve, tanimë është i ndarë.
Ndryshimet janë të dukshme tek fakti që agjencitë federale të zbatimit të ligjit dhe zbulimit, të cilat u transformuan për t’u fokusuar tek terrorizmi ndërkombëtar pas 11 shtatorit, tani e shohin kërcënimin e ekstremizmit të dhunshëm brenda vendit si po aq urgjent.
Rreth 3 mijë vetë humbën jetën nga sulmet e 11 shtatorit, 21 vjet më parë. (Voa)