Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë cilësuar shqetësuese zhvillimet e gundit në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me mundësi përshkallëzimi të mëtejshëm.
Në një përgjigje, Ambasada Amerikane në Prishtinë ka komentuar në detaje zhvillimet e dy ditëve të fundit duke u “pajtuar me qëndrimet e BE-së se këto zhvillime e vënë në rrezik progresin e rëndësishem të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
Po ashtu, qeveria amerikane ka bërë thirrje edhe udhëheqësve në Prishtinë dhe Beograd të përmbahen nga retorika dhe veprimet e dhunshme, në të kundërtën, do të përballen me një reagim të duhur nga bashkëshia ndërkombëtare.
Më poshtë po e botojmë të plotë përgjigjen e Zëdhënëses së Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Katherine Judd.
Sa i përket zhvillimeve të fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë:
Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë të një shqetësimi të madh dhe e vënë në rrezik progresin e rëndësishëm të arritur në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.
Të gjithë akterët e përfshirë duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin në terren. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetët e pafajshme dhe ato të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren.
Prandaj, Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe qeverisjen lokale.
Në të njëjtën kohë, ne përsëri i bashkohemi BE-së për t’i kërkuar autoriteteve kosovare që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM derisa të zgjidhet çështja e targave nga palët në kuadër të Dialogut.
Kjo gjithashtu nënkupton fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASM). Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që ASM duhet të krijohet, gjë që e bën themelimin e ASM-së obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës.
Lidhur me mesazhin tonë drejtuar lidershipit kosovar dhe atij serb:
Është përgjegjësi e të dyja palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin në terren. Veprimet e tilla si djegia e makinave ose retorika frikësuese, janë të papranueshme dhe do të nxisin një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar.
Ne u bëjmë thirrje atyre që të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar në lehtësimin e negociatave. Si Kosova, ashtu edhe Serbia duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në dialogun e lehtësuar nga BE.


