Zyrtarët federalë publikuan të mërkurën një propozim për të prodhuar cigare që shkaktojnë më pak varësi, duke kufizuar nivelin e nikotinës. Megjithatë, ky synim, që prej kohësh kërkohet nga aktivistët kundër duhanit, ka pak gjasa të hyjë në fuqi së shpejti.
Rregulli i propozuar nga agjencia qeveritare ‘Administrata e Ushqimit dhe Barnave’ (FDA) vjen në ditët e fundit të mandatit të Presidentit Joe Biden, gjë që zvogëlon në masë të madhe gjasat që vërtet të miratohet. Presidenti i zgjedhur Donald Trump dhe të emëruarit e tij për shëndetësinë nuk e kanë komentuar propozimin. Një përpjekje e ngjashme e komisionerit të kësaj agjencie qeveritare gjatë mandatit të parë të zotit Trump, Dr. Scott Gottlieb, u tërhoq pa u miratuar.
I emëruari i zotit Trump për postin e Sekretarit të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ka ofruar pak të dhëna se si do të rregullohet çështja e duhanit për të forcuar përpjekjet e qeverisë për të luftuar sëmundjet kronike. Edhe nëse propozimi miratohet nga administrata e Presidentit të zgjedhur Trump, kompanitë e duhanit si ‘Reynolds American’ dhe ‘Altria’ është pothuajse e sigurtë se do ta kundërshtojnë atë në gjykatë, duke shtyrë zbatimin e tij.
FDA-ja e ka studiuar çështjen për disa vite. Agjencia njoftoi të mërkurën se ulja e nivelit të nikotinës do të ndihmonte gati 13 milionë duhanpirës aktualë që të linin duhanpirjen, brenda një viti. Afërsisht 48 milionë të rinj të tjerë nuk do ta merrnin kurrë këtë zakon, sepse cigaret nuk do të krijonin më varësi, sipas shërbimeve të agjencisë.
“Ky veprim, nëse miratohet dhe zbatohet, mund të shpëtojë shumë njerëz dhe të zvogëlojë në mënyrë dramatike barrën e sëmundjeve të rënda, duke kursyer gjithashtu shuma të mëdha parash”, tha nëpërmjet një deklarate komisioneri i FDA-së, Robert Califf.
Sipas planit të agjencisë, nikotina në cigare do të kufizohej në nivele që “nuk do të mund të krijonin më varësi dhe as ta vazhdonin varësinë tek njerëzit që pijnë duhan”.
Kompanive do t’iu duhen vite për të riformuluar produktet e tyre pas publikimit të një rregulloreje përfundimtare. Agjencia publikoi propozimin e saj prej 334 faqesh në internet të mërkurën në mëngjes dhe tha se do të pranojë komente publike për nëntë muaj, përpara se të ndërmarrë ndonjë hap të mëtejshëm.
Aktivistët kundër duhanit e mbështesin propozimin dhe i kërkuan zotit Kennedy Jr. që të ndihmojë në zbatimin e tij, nëse emërimi i tij miratohet nga Senati.
“Rregullimi i çështjes së duhanit është një pjesë e rëndësishme e planeve që ai ka propozuar për reduktimin e sëmundjeve kronike dhe një pjesë vërtet e rëndësishme e diskutimeve që duhet të kemi në këtë vend”, tha Chrissie Juliano nga Koalicioni i Shëndetësisë së Qyteteve të Mëdha. Ky koalicion përfaqëson drejtuesit e mbi 30 departamenteve shëndetësore të qyteteve të mëdha.
Pirja e duhanit shkakton më shumë se 480,000 vdekje në vit në Shtetet e Bashkuara, për shkak të kancerit, sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru dhe sëmundjeve të tjera të lidhura me duhanin. Këto kushte shpesh kërkojnë dekada për t’u zhvilluar dhe mbeten të larta edhe sot, pavarësisht rënies së vazhdueshme të pirjes së duhanit tek të rriturit dhe adoleshentët.
Propozimi për kufizimin e nivelit të nikotinës i ka rrënjët në fuqitë gjithëpërfshirëse që i janë dhënë FDA-së nga Kongresi në vitin 2009, për të vendosur rregullat për industrinë e duhanit. Megjithatë, përpjekjet e FDA-së për nikotinën dhe një mori masash të tjera mbi duhanin si shtimi i etiketave paralajmëruese me pamje të rënda në paketat e cigareve, janë penguar për vite me radhë nga paditë e industrisë së duhanit.
Sipas ligjit, agjencia mund të vendosë kufizime për nikotinën, por nuk mund ta heqë atë plotësisht. Kufijtë e nikotinës të propozuara të mërkurën do të zbatohen për cigaret, purot dhe duhanin që konsumohet me çibuk, por jo për cigaret elektronike dhe produkte të tjera me rrezikshmëri më të ulët. Ndërsa shumë cigare elektronike nuk i janë nënshtruar verifikimeve të thella, FDA-ja ka vlerësuar se disa produkte, përfshirë ‘NJOY’ dhe ‘Vuse’, janë alternativa më pak të dëmshme për duhanpirësit.
Aktualisht, nuk ka kufizime në Shtetet e Bashkuara për nikotinën, e cila gjendet natyrshëm në bimët e duhanit. Ka disa teknika për heqjen e tij, përfshirë nxjerrjen me metoda kimike dhe kryqëzimin e bimëve.
Njoftimi i fundit i FDA-së vjen pasi konsumi i duhanit në Shtetet e Bashkuara vazhdon të bjerë. Vitin e kaluar, shkalla e pirjes së duhanit arriti një tjetër nivel më të ulët historik – vetëm 1 në 9 të rritur thonë se aktualisht pijnë duhan.
Cigaret me pak nikotinë nuk janë një ide e re. Disa kompani, përfshirë ‘Philip Morris’, eksperimentuan me shitjen e produkteve gjatë viteve 1980 dhe 1990, pa shumë sukses. Në vitin 2019, FDA-ja autorizoi një cigare që përmban 95% më pak nikotinë se cigaret standarde.
FDA-ja ka sponsorizuar studime që tregojnë se kur duhanpirësit kalojnë tek cigaret me sasi të ulët të nikotinës, ata konsumojnë më pak dhe kanë më shumë gjasa të përpiqen ta lënë duhanin. Ky hulumtim konsiderohet thelbësor për të vërtetuar se duhanpirësit, nëse konsumojnë cigare me më pak nikotinë, nuk do të pijnë më shumë cigare. Kështu ndodhte me cigaret që shiteshin si “të lehta” dhe me nivel më të ulët të katranit që janë shitur në dekadat e kaluara. Këto produkte më pas u ndaluan, si mashtrim për konsumatorët./VOA