Lajme

SHBA në mbrojtje të Izraelit, gati avionët dhe raketat pas kërcënimeve të Iranit

08/03/2024 12:43
nga:Y I

Shtetet e Bashkuara do të vendosin anije ushtarake dhe avionë luftarakë shtesë në Lindjen e Mesme për të mbrojtur Izraelin nga sulmet e mundshme nga Irani.

Lajmin e ka bërë të ditur një zëdhënëse e Pentagonit.

Tensionet në rajon mbeten të larta pas vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh në Iran dhe të një komandanti të lartë të Hezbollahut në Liban.

Në kuadër të nismës, sisteme raketash mbrojtëse u vendosën në gjendje gatishmërie të rritur, bëri të ditur zëdhënësja Sabrina Singh, e cila shtoi se vendosmëria e Uashingtonit për të mbrojtur Izraelin është e fortë si hekuri.

Lideri iranian, ajatollahu Ali Khamenei pak ditë më parë u zotua për një “ndëshkim të ashpër” ndaj Izraelit për vrasjen e Hanijeh dhe shpalli tre ditë zije kombëtare.

Lideri i Hamasit u vra të mërkurën në Teheran dhe si Republika Islamike ashtu edhe aleatët e saj në Rripin e Gazës fajësuan shtetin hebre, i cili nuk ka bërë asnjë deklaratë.

Haniyeh, 62 vjeç, konsiderohej si lideri kryesor i Hamasit dhe luante një rol kyç në negociatat për arritjen e një armëpushimi në Gaza.

Vdekja e tij erdhi disa orë pasi Izraeli deklaroi se kishte vrarë Fuad Shukr, komandanti ushtarak i lëvizjes Hezbollah, e mbështetur nga Irani.

Në deklaratën e bërë, zëdhënësja e Pentagonit tha se, angazhimi i armatimeve do të përmirësojë mbrojtjen e njësive amerikane, për Izraelin dhe do të sigurojë se Shtetet e Bashkuara janë gati t’i përgjigjen çdo pasigurie.

Lëvizja e Uashingtonit përfshin raketa balistike shtesë dhe sisteme mbrojtëse, si dhe avionë luftarakë.

/Euronews Albania/