Presidenti Donald Trump ka thënë se SHBA-të kanë ndërmarrë një “sulm të fuqishëm dhe vdekjeprurës” kundër grupit Shteti Islamik (IS) në veriperëndim të Nigerisë. Udhëheqësi amerikan e përshkroi IS-in si “fundërrinë terroriste”, duke e akuzuar grupin se “po synon dhe po i vret në mënyrë të egër, kryesisht, të krishterët e pafajshëm”.
Trump tha se ushtria amerikane “kreu disa sulme të përkryera”, ndërsa Komanda e Afrikës e SHBA-së (Africom) njoftoi më vonë se sulmi i së enjtes u realizua në bashkërendim me Nigerinë, në shtetin Sokoto, raporton BBC.
Ministri i Jashtëm nigerian, Yusuf Maitama Tuggar, i tha BBC-së se ishte një “operacion i përbashkët” që synonte “terroristët” dhe se “nuk ka të bëjë me ndonjë fe të veçantë”.
Tuggar nuk i përjashtoi sulmet e tjera, duke thënë se kjo varet nga “vendimet që do të merren nga udhëheqjet e dy vendeve”.
Në postimin e tij në Truth Social, vonë të enjten, Trump tha se “nën udhëheqjen time, vendi ynë nuk do të lejojë që terrorizmi radikal islamik të lulëzojë”.


