Ministri i Mbrojtjes, Armend Zemaj gjatë vizitës zyrtare në SHBA, ka takuar nën-dekretarin e departamentit të Mbrojtjes, Colin Kahl, të cilit në kuptim të avancimit të partneritetit të përhershëm, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i ka ofruar mundësinë për krijimin e një baze ushtarake të përhershme të ushtrisë amerikane në Kosovë, duke vlerësuar se do t’i kontribuonte paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj e njoftoi nën-sekretarin Kahl, me punën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, duke nënvizuar përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në çështjet e sigurisë në nivelin rajonal dhe atë global, me theks të veçantë adresimin e sfidave rajonale në ambientin e ri gjeopolitik global të sigurisë.
Gjithashtu, ministri Mehaj e njoftoi atë se aspekti i sigurisë dhe mbrojtjes është ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke e informuar edhe lidhur me zhvillimet kryesore në Kosovë.
Ndërlidhur me këtë, ministri Mehaj e falënderoi nën-sekretarin Kahl duke shprehur vlerësimin shumë të lartë për mbështetjen amerikane për Kosovën, në avancimin e demokracisë dhe arritjen e objektivave për anëtarësim në strukturat euroatlantike.
“Në kuptim të avancimit të partneritetit të përhershëm, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri Mehaj i ofroi Nën-Sekretarit Kahl mundësinë për krijimin e një baze ushtarake të përhershme të ushtrisë amerikane në Kosovë, duke vlerësuar se do t’i kontribuonte shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan”, thuhet në një komunikatë.
Nga ana e tij, nën-sekretari Kahl ka shprehur vlerësimin më të lartë për bashkëpunimin dhe partneritetin, duke e falënderuar ministrin Mehaj për angazhimin e Kosovës në operacionin humanitar për akomodimin e refugjatëve afganë, në kuadër të operacionit të NATO-s, të udhëhequr nga SHBA.
Gjithashtu, ai ka vlerësuar shumë edhe partneritetin në misionin e parë paqeruajtës të FSK-së në Kuvajt si dhe pjesëmarrjen e FSK-së në stërvitjen e forcave amerikane me forcat aleate “Defender- Europe’21”.
Ndër të tjera, nën-sekretari Kahl ka rikonfirmuar përkrahjen e SHBA-së për Kosovën drejt integrimeve euroatlantike duke theksuar se vizioni i Presidentit Biden për integrimin e Ballkanit Perëndimor, në BE, mbetet në agjendën prioritare.
Nën-sekretari Kahl ka theksuar se përkrahja për avancimin e kapaciteteve të FSK-së do të jetë e vazhdueshme, ndërkohë që ka vlerësuar pozitivisht edhe përgatitjet për misionet paqeruajtëse të radhës, duke e rritur kështu edhe më shumë rolin e Republikës së Kosovës si kontribuuese e paqes edhe në aspektin e sigurisë globale.