Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka mirëpritur formimin e një qeverie të re të autonomisë palestineze, duke sinjalizuar se po pranon përbërjen e rishikuar të kabinetit si një hap drejt reformës politike palestineze, raporton Associated Press.
Administrata Biden ka bërë thirrje për “rigjallërimin” e Autoritetit Palestinez me bazë në Bregun Perëndimor me shpresën se ai mund të administrojë gjithashtu Rripin e Gazës pasi të përfundojë lufta Izrael-Hamas.
Në një deklaratë të premten vonë, AP raporton se zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Matthew Miller tha se ShBA pret të punojë me grupin e ri të ministrave “për të ofruar reforma të besueshme”.
“Një AP e rigjallëruar është thelbësore për të dhënë rezultate për popullin palestinez si në Bregun Perëndimor ashtu edhe në Gaza dhe për krijimin e kushteve për stabilitet në rajonin më të gjerë,” tha Miller.
Autoriteti Palestinez administron pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Ajo drejtohet nga presidenti palestinez Mahmud Abbas, i cili nuk është përballur me zgjedhje për gati dy dekada.