Rusia ka njoftuar se Uashingtoni ka pranuar kërkesën e saj dhe ka liruar dy anëtarë të ekuipazhit të cisternës së naftës që u sekuestrua këtë javë në Atlantikun e Veriut. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova shprehu mirënjohjen e Moskës.
“Në përgjigje të kërkesës sonë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump mori vendimin për të liruar dy qytetarë rusë, anëtarë të ekuipazhit të cisternës së naftës Marinera”, tha ajo.
Anija u sekuestrua të mërkurën nga autoritetet amerikane, të cilat thonë se është pjesë e një flote në hije që ndihmon në anashkalimin e sanksioneve të SHBA-së duke transportuar naftë nga Venezuela, Rusia dhe Irani, dhe se po lundronte nën një flamur të rremë.
Moska tha se anija kishte siguruar leje të përkohshme për të lundruar nën flamurin rus.


