Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar rreth grumbullimit të trupave ruse pranë kufirit ukrainas.
Ambasadorja e ShBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha se ShBA-ja kishte kërkuar që një seancë publike të zhvillohej të hënën, raporton atsh.
“Kjo do të ishte hera e parë që këshilli 15 anëtarësh mblidhet për të diskutuar përshkallëzimin aktual në krizën në Ukrainë. Ajo tha se takimi kërkohet ‘pas disa javësh konsultimesh të ngushta me Ukrainën dhe partnerët në Këshillin e Sigurimit’ dhe pasi më shumë se 100 mijë trupa ruse janë vendosur në kufirin ukrainas dhe se Rusia po angazhohet në akte të tjera destabilizuese që synojnë Ukrainën”, ka thënë ajo.
Thomas-Greenfield u bëri thirrje anëtarëve të këshillit që të shqyrtojnë plotësisht faktet dhe të marrin në konsideratë se çfarë është në rrezik për Ukrainën, për Rusinë, për Evropën dhe për detyrimet dhe parimet thelbësore të ligjit ndërkombëtar nëse Rusia pushton Ukrainën.
Duke filluar nga nëntori, ShBA dhe Evropa filluan të japin alarmin për një grumbullim të madh të trupave ruse në kufirin ukrainas, duke shkaktuar frikën se Moska po planifikonte një ofensivë ushtarake që do të përshkallëzonte në mënyrë dramatike konfliktin mes dy vendeve.