Departamenti Amerikan i Thesarit, në kuadër të Zyrës për Kontrollin e Pasurive të Huaja, ka vendosur sanksione për anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, me arsyetimin për aktivitete korruptive dhe kërcënime të vazhdueshme ndaj stabilitetit dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës.
Në njoftimin e këtij departamenti thuhet se sanksione janë vendosur edhe ndaj televizionit “Alternativa” nga Banja Lluka, për shkak të ndërlidhjes me Dodikun.
Departamenti i Thesarit në SHBA thotë se aksionet e sotme tregojnë për përkushtimin e administratës së presidentit Joe Biden “për të promovuar llogaridhënien për ata që, mes tjerash, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve afatgjata të paqes”.
“[Millorad] Dodik ka minuar institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës, duke bërë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore dhe duke nisur krijimin e institucioneve paralele në entitetin e Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë. Për më tepër, Dodik ka përdorur pozitën e tij zyrtare në Bosnje dhe Hercegovinë, për të krijuar pasuri personale përmes ryshfetit dhe formave të tjera të korrupsionit. Retorika e tij ndarëse etno-nacionaliste reflekton përpjekjet e tij për të arritur këto qëllime politike dhe për të tërhequr vëmendjen nga aktivitetet e tij korruptive. Këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës dhe minojnë Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, duke rrezikuar kështu stabilitetin më të gjerë rajonal”, thuhet në njoftimin zyrtar të këtij departamenti.
Today, OFAC designated Milorad Dodik, a member of the Presidency of Bosnia and Herzegovina, & an associated media platform in response to Dodik’s corrupt activities & continued threats to the stability & territorial integrity of Bosnia and Herzegovina.https://t.co/K5kyV0cP8F
— Treasury Department (@USTreasury) January 5, 2022