Lajme

SHBA-ja rikthen sanksionet ndaj shitjes së naftës iraniane

07/08/2026 10:19
nga:L J

Përveç nisjes së një vale të re sulmesh, Shtetet e Bashkuara kanë revokuar edhe autorizimin e përkohshëm që lejonte shitjen e naftës iraniane.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së kishte pezulluar sanksionet ndaj naftës iraniane pasi SHBA-ja dhe Irani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi muajin e kaluar për t’i dhënë fund luftës, shkruan BBC.

Heqja e sanksioneve, të cilat kishin qenë në fuqi prej dekadash, lejonte eksportin e naftës bruto iraniane, si dhe të produkteve petrokimike dhe derivateve të naftës deri më 21 gusht.

Dokumentet e publikuara të martën nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së konfirmojnë se këto kufizime tani janë rikthyer.

Në një deklaratë të dhënë këtë mëngjes, kryenegociatori iranian, Mohammad Ghalibaf, tha se SHBA-ja ka kryer “shkelje të rënda” të memorandumit të mirëkuptimit duke “rikthyer sanksionet ndaj naftës”.

Ministria e Jashtme e Iranit deklaroi se ky veprim e bën memorandumin e mirëkuptimit “të pavlefshëm”.