Lajme

ShBA-ja paralajmëron se Rusia mund ta pushtojë Ukrainën ‘në çdo moment’

01/18/2022 20:26
nga:Gazeta Blic

Zyrtarët amerikanë paralajmëruan se Rusia mund të nisë një sulm në Ukrainë “në çdo moment”, duke e quajtur situatën jashtëzakonisht të rrezikshme.

“Presidenti Putin e ka krijuar këtë krizë duke grumbulluar njëqind mijë trupa ruse përgjatë kufijve të Ukrainës. Kjo përfshin lëvizjen e forcave ruse në Bjellorusi kohët e fundit për stërvitje të përbashkëta dhe kryerjen e stërvitjeve shtesë në kufirin lindor të Ukrainës”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

“Pra, le të jemi të qartë, pikëpamja jonë është se kjo është një situatë jashtëzakonisht e rrezikshme, ne jemi tani në një fazë ku Rusia në çdo moment mund të nisë një sulm në Ukrainë”, shtoi ajo, shkruan Euronews, përcjell Klankosova.tv

Diplomati i lartë i SHBA-së planifikon të udhëtojë në Ukrainë, ndërsa tensionet rriten nga frika e një pushtimi.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, do të udhëtojë në Kiev, të mërkurën, dhe do të takohet me presidentin Volodymyr Zelenskyy dhe ministrin e Jashtëm, Dmytro Kuleba, për të përforcuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë.

Udhëtimi vjen pas negociatave në Evropë midis ShBA-së dhe Rusisë, të cilat bënë shumë pak për të qetësuar tensionet në rritje.