Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një format të ri potencial për bisedimet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë me pjesëmarrjen e të dërguarve amerikanë dhe ndoshta evropianë, tha të shtunën Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Kievi do të vendosë për formatin pasi të jetë e qartë nëse diskutimet dypalëshe me negociatorët amerikanë që rifilluan të premten janë pozitive, tha Zelensky, duke shtuar se planifikonte ta diskutonte çështjen me shefin e delegacionit të Ukrainës, Rustem Umerov, shkruan Reuters.
Duke folur me gazetarët në Kiev, ai nuk dha detaje specifike se çfarë lloj formati kishte propozuar administrata e Presidentit Donald Trump.
“ShBA-ja thanë se do të kishin një takim të veçantë me përfaqësuesit e Rusisë. Dhe ata propozuan formatin e mëposhtëm, për aq sa kuptoj unë: Ukraina, Amerika, Rusia dhe, meqenëse atje ka përfaqësues të Evropës, ndoshta edhe të Evropës”, tha Zelensky.


