Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të martën në mbrëmje ka dhënë një intervistë për BBC-në.
Kurti në emisionin “Hard Talk” ka thënë se nuk do ta lejojë bosnjëzimin e Kosovës.
Ai tha se nuk do ta lejojë zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
E lidhur me këtë është deklaruar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. Në një përgjigje për Klankosova.tv nga kjo ambasadë thuhet se qëndrimi i SHBA-së nuk ka ndryshuar.
Po ashtu bëhet thirrje që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun Kosovë-Serbi, përfshirë edhe marrëveshjen për Asociacionin.
“Qëndrimi i SHBA-së nuk ka ndryshuar. Është thelbësore që Kosova dhe Serbia të respektojnë zotimet e tyre duke zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme. Këtu përfshihet Asociacioni i Komunave Serbe. Ne nuk po e përshkruajmë se si duhet të zbatohet kjo marrëveshje, apo ndonjë tjetër. Teknikat e zbatimit janë në dorën e palëve”.
E për deklaratën e shefit të ekzekutivit kosovar më herët ka folur edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano. Stano në një adresim për media tha se marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe duhet të zbatohet.
“BE-ja nuk i komenton deklaratat e të tjerëve. Është e qartë kur bëhet fjalë për zbatimin se çfarë është marrë vesh në dialog.Duhet të bëjmë gjithçka që të zbatohet ajo çfarë është nënshkruar”.