Lajme

SHBA-ja e zhgënjyer dhe e dëshpëruar me Qeverinë Kurti: Refuzuan kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë për targat

10/28/2022 19:11
nga:Astrit Gashi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë dalë me një komunikatë për media ku shprehen të zhgënjyera me refuzimin e Qeverisë së Kosovës që ta zgjasë afatin e zbatimit të vendimit për targat, kërkesë ekskluzive kjo e shtetit aleat.

Në komunikatën e publikuar në faqen e Departamentit të Shtetit, Kosovës i kërkohet që ta zgjasë periudhën e zbatimit ë vendimit për targat.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të vendimit për targat. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thuhet në reagimin e SHBA-së.

Tutje, theksohet qartë se shteti amerikan është i zhgënjyer dhe i shqetësuar me Qeverinë e Kosovës që t’i dëgjojë kërkesat e tyre.

Ndërkaq, në fund, Kosovës dhe Serbisë u kërkohet që të punojnë urgjentisht për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me njohje reciproke.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, përfundon komunikata.

Ky reagim i SHBA-së vjen në ditën kur Qeveria e Kosovës miratoi një plan për zbatimin e vendimit për targat, që parashihet të zgjasë deri më 21 prill. Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky vendim nuk është shtyrje e afatit për targat.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.

SHBA-ja tha se Kosova ka të drejtë të zbatojë vendimin për targat, sipas Marrëveshjes së Brukselit, por shtoi se “zgjatja e afatit do të ishte në interes që të arrihej përparim në dialogun për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian”.

DASH po ashtu kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të punojnë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve, në qendër të cilës, sipas Uashingtonit, duhet të jetë njohja reciproke.

Paraprakisht, vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e targave thoshte se kjo mund të bëhej deri më 31 tetor, mes paralajmërimeve nga politikanët serbë në Kosovë dhe Serbi, se mund të ketë bllokada në veriun e Kosovës, nëse Kosova do të konfiskonte targat dhe makinat e serbëve.

Besohet se afër 10.000 targa me akronime serbe – sikurse KM, PZ, PR, e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e Kosovës me shumicë serbe. Kosova i konsideron ilegale këto targa që lëshohen nga Serbia.