Lajme

SHBA-ja dënon sërish dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR’it – kërkon që kryetarët në Veri të gjejnë lokacione alternative

06/05/2023 21:21
nga:G B

Zyrtari për informim në Departamentin e Shtetit, Vedant Patel, në konferencën ditore për media ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi.

Ai sërish ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj pjesëtarëve të KFOR’it në Veriun e Kosovës.

Ndërkaq, përmendi se SHBA-ja ka kritikuar hyrjen me forcë në objektet komunale nga kryetarët, duke kërkuar që punën ta kryejnë në lokacione alternative.

“Kjo është dicka në të cilën do të vazhdojmë të merremi thellësisht dhe që e kemi diskutuar direkt me të dy qeveritë. SHBA-ja dënon dhunën e papranueshme ndaj forcave të KFOR-it dhe gazetarëve. Kërkojmë nga të gjitha palët që të marrin veprime të menjëhershme për të de-eskaluar sitautën”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se Serbia duhet të ulë gjendjen e gatishmërisë së forcave ushtarake dhe t’iu bëjë thirrje serbëve të Kosovës të përmbahen nga dhuna.

Derisa ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të sigurohet që kryetarët e zgjedhur të kryejnë punën e tyre nga lokacione alternative dhe të largojë forcat policore nga objektet komunale.

Patel ka thënë se vendimi për të hyrë me forcë në objektet e komunave ka tensionuar situatën ashpër dhe pa nevojë.

“Serbia dhe presidenti Vucic duhet të ulin gjendjen e gatishmërisë së ushtrisë së tyre dhe t’iu bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të përmbahen nga dhuna. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të pasur akces me forcës në ndërtesat e komuanve e ka eskaluar situatën në mënyrë të vrazhdë dhe të panevojshme”, ka deklaruar Patel.

“Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të mundësojnë që kryetarët e tyre të kryejnë punën në lokacione alternative po ashtu tërheqjen e policisë nga afër objekteve”, ka thënë ai.

Protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e KFOR’it duke u lënduar disa prej tyre. Këto akte janë dënuar nga bota perëndimore.

Por ambasadat perëndimore kanë pasur kritika edhe për Qeverinë e Kosovën duke i kritikuar për “veprime të njëanshme”.