Lajme

ShBA heton zyrtarë të Minesotës pas përplasjeve për bastisjet ndaj emigrantëve

01/21/2026 09:20
nga:G B

Departamenti amerikan i Drejtësisë  ka nisur një hetim ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit të Minesotës, mes tyre guvernatori Tim Walz, Prokurori i Përgjithshëm Keith Ellison dhe kryebashkiaku i Minneapolisit, Jacob Frey, lidhur me dyshimet se kanë penguar agjentët federalë të emigracionit gjatë bastisjeve në shtet.

Sipas mediave amerikane, hetimi synon të përcaktojë nëse autoritetet e Minesotës kanë bashkëpunuar për të bllokuar punën e agjentëve të ICE-it, duke penguar zbatimin e ligjit federal të emigracionit. Zhvillimi vjen vetëm një javë pasi Minesota paditi qeverinë federale për bastisjet, të cilat autoritetet lokale i cilësojnë si të paligjshme dhe antikushtetuese.

Guvernatori Walz e quajti hetimin teatër politik, ndërsa Prokurori Ellison tha se zyra e tij është thirrur të dorëzojë dokumente, duke e cilësuar veprimin si të pazakontë dhe hakmarrës. Edhe kryebashkiaku Frey e përshkroi hetimin si përpjekje për frikësim të zyrtarëve shtetërorë.

Përplasja mes administratës së presidentit Donald Trump dhe Minesotës u përshkallëzua pas vrasjes së Renee Good, një shtetase amerikane, gjatë një operacioni të ICE-it në fillim të janarit. Rasti shkaktoi protesta të gjera dhe reagime të forta publike, ndërsa autoritetet federale kanë refuzuar deri tani të hetojnë vrasjen.