Këtë vit, 45 vende në Kombet e Bashkuara mbajtën zgjedhje kombëtare për të vendosur lidershipin e tyre të lartë.
Prej tyre, vetëm katër zgjodhën një grua për t’u bërë kryetare e shtetit ose e qeverisë, sipas analizës së CNN të të dhënave të Fondacionit Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore.
Ndërsa SHBA-të patën mundësinë të zgjidhnin presidenten e parë grua, kjo nuk ndodhi.
Tri nga vendet që zgjodhën një udhëheqëse grua në vitin 2024 – Maqedonia e Veriut, Namibia dhe Meksika – e bënë këtë për herë të parë në historinë e kombit të tyre.
Bëhet e ditur se në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, diku rreth 64 vjet më parë, një grua u zgjodh për të udhëhequr një vend të OKB-së.
Ja një vështrim se ku dhe kur, gratë kanë siguruar pozita udhëheqëse kombëtare që atëherë:
Vetëm në dy dekadat e fundit shumë vende panë lideret e tyre të para gra, sipas analizës së CNN për Indeksin e Fuqisë së Grave të Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, i cili përfshin shtetet anëtare të OKB-së dhe përjashton monarkët, liderët e emëruar nga monarkët dhe kryetarët e qeveritë kolektive.
Raportohet se 49 vende anëtare të OKB-së kanë pasur një udhëheqëse grua në shtatë dekadat e fundit – 18 vende të tjera kanë pasur dy lidere gra, 9 vende kanë pasur tre lidere gra dhe vetëm dy vende, Finlanda dhe Islanda, janë kryesuar nga katër lidere të ndryshme gra.
Megjithatë, një grua nuk ka shërbyer kurrë si kryetare e shtetit apo e qeverisë në 115 vende anëtare të OKB-së.
Kontinenti i parë me një shtet anëtar të OKB-së që kishte një udhëheqëse grua pas Luftës së Dytë Botërore ishte Azia.
Në vitin 1960, Sri Lanka – e njohur atëherë si Ceylon – zgjodhi kryeministren e parë grua, Sirimavo Bandaranaike. Ajo hyri në politikë pasi bashkëshorti i saj u vra.
Që atëherë, gratë kanë udhëhequr 13 vende të tjera në Azi, edhe pse shumë prej tyre erdhën në politikë nëpërmjet bashkëshortëve apo baballarëve të tyre.
Azia kryeson gjithashtu kur bëhet fjalë për qëndrimin e grave në pushtet, me Sheikh Hasina që mban rekordin për numrin më të madh të viteve të shërbyera si udhëheqëse kombëtare, përcjell Telegrafi.
Hasina ishte kryeministre e Bangladeshit nga viti 1996 deri në vitin 2001 dhe përsëri nga viti 2009 deri në dorëheqjen e saj në gusht 2024 pas protestave masive antiqeveritare. Babai i saj, një udhëheqës i pavarësisë, ishte kryeministri i parë i Bangladeshit.
Isabel Peron ishte gruaja e parë në krye të shtetit në kontinentin amerikan. Burri i saj, Juan Peron, ishte president i Argjentinës dhe vdiq në detyrë në vitin 1974. Si zëvendëspresidente, ajo mori përsipër shumë nga detyrat e tij kur ai u sëmur dhe u betua në presidencë pas vdekjes së tij.
Në tetor, Claudia Sheinbaum u inaugurua si presidentja e parë grua e Meksikës.
Gruaja e parë që u bë udhëheqëse e një vendi afrikan ishte Elisabeth Domitien, e cila u emërua kryeministre e Republikës së Afrikës Qendrore në 1975.
Kryetarja e parë grua e zgjedhur e shtetit në Afrikë ishte Ellen Johnson Sirleaf, e cila u bë presidente e Liberisë në vitin 2006.
Në vitin 2021, Tunizia u bë vendi i parë arab që qeveriset nga një grua, kur Najla Bouden u emërua kryeministre nga presidenti i vendit.
Margaret Thatcher u bë kryeministrja e parë grua e Evropës në vitin 1979. Disa muaj më vonë, Maria de Lourdes Pintasilgo e Portugalisë u bë gruaja e dytë në krye të qeverisë në kontinent.
Ndryshe, që nga viti 2010, 28 vende në Evropë kanë pasur të paktën një udhëheqëse grua dhe rajoni tani ka përqindjen më të lartë të vendeve që kanë pasur një udhëheqëse grua.
Rreth dy të tretat, ose 65% e 43 vendeve anëtare të OKB-së në rajon kanë pasur një udhëheqëse grua dhe pak më pak se një e katërta e tyre aktualisht drejtohen nga një grua.
Lideret gra evropiane kanë arritur gjithashtu një mandat të rëndësishëm, me pesë lidere në top 10 për kohën më të gjatë të shërbimit, të gjitha me mbi 10 vjet në detyrë.
Angela Merkel, e cila u bë për herë të parë kancelare e Gjermanisë në vitin 2005, e mbajti këtë rol për 16 vjet.
Jenny Shipley ishte kryeministrja e parë grua e Zelandës së Re, duke shërbyer nga 1997 deri në 1999.
Julia Gillard ishte gruaja e parë që mbajti titullin e kryeministres së Australisë, duke shërbyer nga 2010 deri në 2013.
Tani ekspertët thonë se është e rëndësishme që gratë të luajnë role kyçe në qeveri, sepse kjo zgjeron përfaqësimin.
Një rezultat i mundshëm pozitiv i fitores së grave në zgjedhje në mbarë botën është se suksesi i tyre mund të frymëzojë të tjerët të garojnë për role udhëheqëse.
Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë mban një indeks të shteteve anëtare të OKB-së dhe progresit të tyre drejt barazisë gjinore në pjesëmarrjen politike që nga viti 1946.
Baza e të dhënave të tij përfshin nëse një grua është aktualisht ose ka qenë ndonjëherë kryetare e shtetit apo e qeverisë dhe është përditësuar për herë të fundit me 9 dhjetor 2024.
Këto të dhëna nuk llogariten: monarkët apo guvernatorët e emëruar nga monarkët; kryetarët ushtrues detyre ose të përkohshëm të shteteve ose qeverive që nuk u zgjodhën ose nuk u konfirmuan më pas; krerë nderi shtetesh ose qeverish; krerët e përbashkët ose kolektivë të shteteve ose qeverive dhe kryetarët ose anëtarët kryesues të tyre.
Si rezultat, lideret gra për Zvicrën dhe Bosnje-Hercegovinën “janë të përjashtuar” nga lista.
Kosova, edhe pse kishte dhe gjithashtu tani ka një presidente femër, nuk është shtet anëtar i OKB-së, kështu që vendi “është i përjashtuar” nga indeksi, gjithashtu.