Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë zhvilluar bisedime të nivelit të lartë për mundësinë që SHBA të udhëheqë një administratë të përkohshme në Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës, raportojnë pesë burime të njohura me çështjen.
SipasReuters, diskutimet janë përqendruar rreth një qeverie kalimtare të drejtuar nga një zyrtar amerikan, që do të kishte për detyrë menaxhimin e Gazës deri në çmilitarizimin dhe stabilizimin e saj, dhe derisa të formohej një administratë palestineze funksionale.
Nuk ka afat të përcaktuar se sa do të zgjaste kjo administratë, gjithçka do të varej nga situata në terren.
Burimet, që folën në kushte anonimiteti për shkak se nuk janë të autorizuar të flasin publikisht për negociatat, e krahasuan këtë propozim me Autoritetin Provisional të Koalicionit në Irak, të krijuar nga SHBA në vitin 2003 pas rrëzimit të Sadam Huseinit. Ky autoritet, që u perceptua nga shumë irakianë si forcë pushtuese, dështoi në frenimin e kryengritjes dhe ia dorëzoi pushtetin një qeverie të përkohshme irakiane në vitin 2004.
Burimet thanë se në administratën e propozuar në Gaza do të ftoheshin të merrnin pjesë edhe shtete të tjera, por nuk u dhanë emra konkretë. Sipas tyre, administrata do të përfshinte teknokratë palestinezë, por do të përjashtonte Hamasin dhe Autoritetin Palestinez që aktualisht ka autoritet të kufizuar në Bregun Perëndimor.
Hamasi, që ka qeverisur Gazën që nga viti 2007, e shkaktoi luftën aktuale më 7 tetor 2023, kur militantët e tij sulmuan komunitete izraelite në jug, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.
Ende nuk është e qartë nëse mund të arrihet një marrëveshje për këtë propozim.
Diskutimet nuk kanë avancuar deri në pikën për të përcaktuar se kush do të marrë rolet kryesore, thanë burimet.
Në përgjigje ndaj pyetjeve të agjencisë Reuters, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit nuk komentoi drejtpërdrejt nëse ka pasur diskutime për një autoritet të përkohshëm amerikan në Gaza, duke thënë se nuk mund të flasin për negociata në zhvillim.
“Ne duam paqe dhe lirimin e menjëhershëm të pengjeve,” tha zëdhënësi. “Shtyllat e qasjes sonë mbeten të qarta: qëndrojmë me Izraelin, qëndrojmë për paqe”.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu nuk pranoi të komentojë.
Ndërkohë, në një intervistë në prill për Sky News Arabia, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, u shpreh se pas luftës do të ketë një “periudhë kalimtare” ku një bord ndërkombëtar kujdestarësh, përfshirë “vende arabe të moderuara”, do të mbikëqyrë Gazën me pjesëmarrjen e palestinezëve. Ai nuk përmendi konkretisht se cilat shtete do të përfshiheshin.
Ministria e Jashtme izraelite nuk ka komentuar më tej.
Nga ana tjetër, drejtori i Zyrës së Medias së qeverisë së Hamasit në Gaza, Ismail Al-Thawabta, e hodhi poshtë idenë e një administrate të udhëhequr nga SHBA ose ndonjë qeveri e huaj, duke theksuar se “populli palestinez në Gaza duhet të zgjedhë vetë sunduesit e tij”.


