Lajme

Shatri: Shqetësuese fakti që Qeveria Kurti nuk ndërmerr masa kundër rritjes së çmimeve

07/13/2022 21:25
nga:Q R

Ish-ministri i financave Haki Shatri, ka folur për rritjen e çmimeve në vend si dhe ndikimin e inflacionit tek shporta e konsumatorit.

Lidhur me këtë çështje, Shatri tha se shqetësuese është fakti që Qeveria Kurti nuk ka ndërmarrë masa për këtë situatë.

“Ky inflacion e pasqyron një gjendje mjaftë të rëndë dhe një tendencë që edhe shtresa e mesme të varfërohet në këtë periudhë. Ata që jetojnë në varfëri, ata janë në minimum për ekzistencë. Ndërsa, shtresa e mesme e cila ka pasur mundësi të kursejë diçka nga paga, tashmë është e pamundur. Për mua është brengosëse mos veprimi i qeverisë në këtë situatë. Nuk them që qeveria është fajtore për shkak të konfliktit në Ukrainë apo për shkak të COVID-19. Mirëpo, unë po flas për një mos veprim, ata janë shumë komod dhe asnjë veprim nga ta nuk ka”, tha Shatri në Teve1.

Më tej, Shatri ka thënë se qeveria Kurti pas 6 muajsh ka bërë një rishikim të buxhetit, e që sipas tij, nuk janë prekur çështjet kyçe të zhvillimeve buxhetore në vend.