Fikret Shatri është një emër i njohur i sportit kosovar dhe jo vetëm.
Shatri, shkëlqeu për vite me radhë në basketbollin kosovar, kurse tashmë po e kryen me shumë sukses detyrën e trajnerit dhe është një shembull për gjeneratat e reja.
Shembulli i tij nuk ndërlidhet vetëm me rolin e tij në basketboll, por për veprën e tij atdhetare, i cili me uniformën e UÇK-së e arriti misionin e lavdishëm, atë të çlirimit të Kosovës dhe ndërtimit të Republikës.
Rruga deri tek liria nuk ishte aspak e lehtë, me shumë dhimbje e shumë sakrificë, por që të gjitha këto u mposhtën nga vullneti dhe vendosmëria që një ditë të shijohej aroma e lirisë.
Në një rrëfim ekskluziv për dokumentarin ‘Expose’, prodhi i GazetaBlic, rrëfen se si të gjithë meshkujt e familjes iu bashkuan UÇK-së, me të dy vëllezërit e tij që u përshendetën me familjet e tyre, duke u fokusuar tek lufta, kurse komandant Naser Shatri, e la jetën në Suedi dhe iu bashkua luftës çlirimtare, duke lënë atje një rehati të plotë.
Nga Suedia për në luftën e lavdishme erdhi edhe bashkëluftari tjetër i Fikretit, Ismet Bicaj, i cili edhe ra heroikisht, për të mos vdekur kurrë.
“Sakrifica e familjes ka qenë shumë e madhe, sepse si sot më kujtohet, kur vëllai, dëshmori Izet Shatri, e ka dërguar gruan e tij së bashku me vajzën në Gjilan, sepse gjatë përiudhe nuk ka pasur luftë, e bëri këtë gjë që të shkarkohet nga barra e familjes dhe ta zhvillon aktivitetin në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dorën në zemër, nuk ka qenë aspak e lehtë, pra është një sakrificë e madhe, ndarja me familjen. Ashtu edhe vëllai i madh Rrahimi, e kishte dërguar gruan e tij në Mal të Zi, momente të vështira, por duke i ditur oblgimet tona si djem të këtij vendi, nevojën për liri, kjo sakrificë ishte e detyrueshme.
Natyrisht, ne nuk ishim të vetmit si familje që e kemi bërë këtë gjë, rate të tilla ka me qindra e mijëra, sepse edhe komandanti Naser Shatri e ka lënë familjen e tij në Suedi, në një rehati të plotë dhe ka ardhë në luftë, poashtu Ismet Bici, erdhi nga Suedia dhe është vra si dëshmor. Janë gjëra që nuk mund të përshkruhen me fjalë, super heroizëm“, deklaroi Shatri.
/GazetaBlic/


