Lajme

“Sharr Travel” dhe “Tanushaj Resort” i çojnë në deti 60 invalidë të luftës

09/20/2022 16:59
nga:G C

Udhëtimit për në bregdet iu gëzua shumë.

Këtë mundësi nuk e kishte tash e katër vjet.

Si invalidë i luftës që për pasojë humbi dy këmbët, Ferat Ademaj, është shumë falënderues që këtë pushim ia mundësoi kompania më e madhe turistike “Sharr Travel” në bashkëpunim me kompleksin gjigant “Tanushaj Resort”, në Shëngjin.

Ngjashëm si Ferati, aty u akomoduan për tri ditë, 60 invalidë të luftës.

“Janë bërë 4 vite që nuk kemi ardhur. Personalisht i falënderoj shumë, nuk e kam prit që e bëjnë këtë të mirë se që 4 vite nuk kemi qenë. Kushtet në hotel nuk e kam prit që janë kaq mirë, tri herë ushqim, pastërti e respekt, vërejtje nuk kemi”, tha ai.

Jashtëzakonisht falënderues po ndjehen ata që i dhanë shumë Kosovës, e që tani ndihen të vlerësuar e respektuar nga “Sharr Travel” dhe “Tanushaj Resort”.

“Fillimisht e falënderojnë pronarin e kompanisë ‘Sharr Travel’, Ruzhdi Kurtishaj, për këtë iniciativë për invalidët sepse ne invalidët, shtresat e luftës, jemi të harruar nga Qeveria, e përshëndes dhe e falënderoj edhe pronarin e restorantit ‘Tanushaj’, tha Musa Munishi, invalid i luftës.

“Këtu me sa i pashë disa invalidë po vazhdojnë tretmanin që nga plagosja është e domosdoshme që duhet të vazhdoj”, tha Sanije Rexha, bashkëshortja e komandant Abedin Rexhës- Sandokanit.

Këto iniciativa dikush thotë se i kishin harruar nga shteti e Qeveria.

Ai që i përfaqëson invalidët e luftës është shumë mirënjohës për këtë pushim tre ditorë.

“Të gjithë e kemi mirëprit, ka disa vite që nuk kemi kësi organizime, nuk kemi organizime nga Qeveria dhe në bashkëpunim me ‘Sharrin’ dhe ‘Resort Tanushaj’ në bashkëpunim me shoqatën u realizua një pushim tre ditorë për invalid të luftës të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore”, thotë Fadil Shurdhaj, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës.

Drejtori i kompanisë “Sharr Travel”, Ruzhdi Kurtishaj, thotë se iniciativa për këtë udhëtim erdhi pasi që kjo kategori viteve të fundit ka qenë e neglizhuar nga Qeveria e Kosovës.

“Po flasim për 60 persona që kanë qenë në këtë projektin ndihmë financiare diku rreth 10 mijë euro. Iniciativa të tilla kemi pasur edhe vitet e kaluara. ‘Sharr Travel’ që nga viti 2020 ka pasur projekte që e ka ndihmuar Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, realisht është kategoria bazë mbi të cilën ne jemi ndërtuar si shtet dhe e kemi obligim secili prej nesh, për shkak se viteve të fundi këta nuk e kanë pasur një buxhet nga ana e Qeverive”, u shpreh Kurtishaj.

Ai tha se projekte të tilla do të ketë edhe në vitet e ardhshëm, me ç ‘rast iu bëri thirrje të gjitha komplekseve që t’i bashkëngjiten kësaj iniciative.

Akomodimi i invalidëve të luftës së UÇK-së, ishte një nder për udhëheqësit e “Hotel Tanushaj”.

“Hotel ‘Tanushaj’, në këtë fund të sezonit ka pasur mënyrë më të mirë për t’iu thënë faleminderit të gjithë shqiptarëve të Kosovës me një projekt i cili na erdhi surprizë nga ‘Sharr Travel’. Pritja e 60 invalidëve të UÇK-së realisht ishte një pritje emocionues dhe një moment i duhur për t’iu thënë faleminderit të gjithë shqiptarëve të Kosovës të gjithë operatorëve dhe të gjithë atyre që ndihmuan që sezoni turist të ecë si duhet” tha menaxheri i këtij kompleksi, Xhuliu Nikolli.

Iniciativën e “Sharr Travel” dhe “Tanushaj Resort” e përshëndeti edhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu.

“Është një grup njerëzisht të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshme në luftën në Kosovë dhe pasojat e veta të asaj lufte, realisht është një iniciativë me shumë vlera por që duhet të vazhdoj dhe të pasurohet edhe me grupe të tjera në bashkëpunim me resortet turistike”, tha ai.

Iniciativat e tilla, sipas pronarit të “Sharr Travel”, Ruzhdi Kurtishaj, nuk do të mungojnë.

E nëse u premton koha, ai planifikon që këtë vit sërish t’i dërgoj në bregdet dy-tri grupe nga kjo kategori.