Kupa e Botës 2022

Shaqiri para ndeshjes me Brazilin: Ne dimë si të përballemi ndaj ekipeve të mëdha

11/27/2022 17:18
nga:Lorik J

Zvicra do të ballafaqohet nesër me Brazilin, në kuadër të rrethit të të dytë të fazës së grupeve në Kampionatin Botëror.

Për këtë ndeshje në një konferencë për shtyp ka folur Xherdan Shaiqiri, i cili ka thënë se këtë herë kanë më shumë përvojë për duelin ndaj Brazilit, transmeton Klankosova.tv.

“Në vitin 2018 ishte një lojë e vështirë dhe morëm një rezultat të mirë. Ne jemi të vetëdijshëm për atë që jemi në gjendje të bëjmë. Mendoj se kemi përparuar, kemi fituar përvojë, kemi luajtur kundër skuadrave të mëdha dhe kemi besim se do të përballemi me një kundërshtar të madh. Ne duhet të përpiqemi të mposhtim skuadra si Brazili dhe tashmë kemi treguar se jemi të aftë”, tha Shaqiri.

Edhe pse Brazili ka marrë disa lëvdata, si në atë sulmuese, ashtu edhe në atë mbrojtëse, Shaqiri, ka komentuar se Zvicra do të shfrytëzojë dobësitë e treguara nga trajneri Tite.

“Ne e dimë që Brazili ka një mbrojtje shumë të mirë, me lojtarë të shkëlqyer, si Thiago Silva. Është një ekip me shumë eksperiencë dhe nuk do të jetë e lehtë, por kanë edhe dobësi nga të cilat duhet të përfitojmë. Kur nuk ka shumë mundësi për të përfunduar aksionet, duhet të shfrytëzojmë sa më shumë mundësitë e pakta të krijuara”, tha Shaqiri.

“Të gjithë lojtarët kanë pika të forta dhe të dobëta. Është e vështirë të zgjedhësh një lojtar (nga Brazili). Ata janë shumë të shpejtë, kanë një lojë shumë tërheqëse, por kanë edhe dobësi dhe ne do të përpiqemi t’i shfrytëzojmë. Ata luajtën mirë në debutimin e tyre, por ne dimë si të sillemi ndaj skuadrave të mëdha”, vazhdoi ai.