Lajme

Shaqir Totaj: Tre të arrestuarit për mashtrim janë të afërt me qeverisjen lokale në Prizren (VIDEO)

04/17/2021 00:09
nga:Gazeta Blic

“Haskuka e ka humbur edhe besimin e partisë së tij sepse e kemi një paralajmërim për një kandidat tjetër të VV-së për Prizren”.
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se janë arrestuar tre persona për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren, Shaqir Totaj, i ftuar në Edicionin Special në Klan Kosova, ka thënë se të tre të dyshuarit janë njerëz të afërt me qeverisjen lokale në Prizren që udhëhiqet prej Mytaher Haskukës nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne vazhdimisht kemi informuar opinionin për një keqqeverisje të vazhdueshme të Prizrenit prej se në qeverisje ka ardhur Lëvizja Vetëvendosje me Mytaher Haskukën. Ajo që ka ndodhë në tre vjetet e fundit, ka pasur një degradim në vazhdimësi dhe ditëve të fundit kemi pasur një aksion të Haskukës ku të gjitha partitë i ka larguar nga zyrat e tyre”.

Sipas Tolajt, Haskuka po i ndërmerr këto veprime në mënyrë që të fshihet për shkak të keqqeverisjes së tij në Prizren.

“Sa i përket korrupsionit, ne kemi paralajmëruar shumë raste; mirëpo rasti i fundit që ka ndodhur ditëve të fundit, një biznes e cili e ka marrë një tender prej 1.4 milion eurosh, është një biznes pronarët e të cilit janë të afërt me qeverisjen lokale”.

“Ky biznes i ka marrë dikur tetë tenderë deri më tani. Ky është një indikacion se si një biznes arrin t’i merr tetë tenderë – nuk e besoj se është e rastësishme”.

Ai ka shtuar se nëse një biznes arrin t’i merr tetë tenderë, është indikacion se ka pasur veprime manipuluese.

“Vet fakti që prokuroria i ka arrestuar tre persona, tregon se Haskuka nuk ka arritur ta ndalojë korrupsionin”.

“Haskuka e ka humbur edhe besimin e partisë së tij, sepse e kemi një paralajmërim për një kandidat tjetër të VV-së për Prizren”.

Për t’u informuar më shumë rreth kësaj ngjarje, më poshtë e gjeni komunikatën e plotë të lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Prokuroria Themelore në Prizren, pas grumbullimit të informacioneve lidhur me një publikimin të Rrjetit të Organizatave Joqeveritare “AVONET”,ka arrestuar dhe ndaluar pronarët e kompanive “NABS” sh.p.k. dhe “CONS ENG” sh.p.k., përkatësisht të dyshuarit me iniciale G. P., S. S. dhe B. S. për shkak të dyshimit të arsyeshëm se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Me datë 12 prill 2021, Rrejti i Organizatave Joqeveritare “AVONET” ka publikuar një deklaratë për media rreth procesit të aktivitetit të prokurimit “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”, numër të prokurimit
622-20-2058-2-1-1
, me titull “Komuna e Prizrenit i ka dhënë operatorit ekonomik kontratën në vlerë prej 1,394.853.90 Euro me dokumente fiktive (jo reale)”, ku ata pretendonin se fatura e datë 01.05.2020 me nr.
1052020
, e cila faturë ka plotësuar kriterin e kërkuar nga ana e Autoritetit Kontraktues, e njëjta është e dyshimtë pasi që nuk është deklaruar si shitje nga ana e biznesit “CONS ENG”sh.p.k. si dhe nuk është e regjistruar si blerje nga ana e biznesit “NABS” sh.p.k.

Pas publikimit të kësaj deklarate, Prokurori i Shtetit, sipas detyrës zyrtare, ka ndërmarrë veprime hetimore për grumbullimin e informacioneve duke siguruar dosjen e tenderit dhe pas intervistimit të të dyshuarve, të njëjtit janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë. Për çdo informatë me rëndësi për publikun lidhur me këtë rast, do të njoftoheni me kohë.

05/14/2021 00:10

Zyrtari i lartë i LDK-së “kërcënon” Vetëvendosjen: Shihemi në zgjedhje