Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj përmes një video-adresimi ka shpalosur programin e tij për katër vitet e ardhshme, për Prizrenin e zhvilluar, me infrastrukturë moderne, të gjelbër, digjital dhe destinacion.
Totaj tha se Prizreni gjatë katër viteve të fundit ka përjetuar vetëm stagnim e degradim, ku kryetari aktual qeverisi vetëm për një grusht të vogël të njerëzve përreth tij.
“Prizreni në këto 20 vite asnjëherë si sot nuk e ka ndjerë mungesën e dorës së komunës në rregullimin e infrastrukturës, në largimin e bërllogut, në mirëmbajtjen e rrugëve, në menaxhimin më të mirë të shkollave dhe qendrave të mjekësisë familje; në lirimin e hapësirave publike e hapjen e çerdheve të reja, e deri tek degradimi i qendrës historike e shumë fshatra të harruara të komunës tonë. Tepricë të buxhetit rreth 30 milionë euro dhe e vlerësuar nga shumë organizata për mungesë performance. Kurrfarë transperence në procesin e punësimit dhe të prokurimit. Plot drejtorë me aktakuza të cilat ende punojnë në komunë; dhe punësime me libreza partiake.”, theksoi Totaj.
Duke thënë se e vetmja mënyrë për ta ndalur degradimin e mëtejmë të Prizrenit është zgjedhja e një kryetari që i shërben popullit, Totaj tha se prioriteti kryesor i qeverisjes së tij do të jetë investimi në arsim, nisur nga çerdhet e deri tek shkollimi mesëm.
“Siguri, digjitalizim të shkollave dhe çerdhe të reja do të thotë digjitalizimi i shkollave me nxënësin në qendër të programit, përzgjedhje meritore e mësimdhënësve në bashkëpunim me komunitetin dhe prindërit, rritje e cilësisë dhe sigurisë në shkolla, ndërtimi i pesë çerdhe me bazë në komunitet, si dhe rritje e numrit të bursave për nxënësit e shkëlqyeshëm. Po ashtu, ne duhet të investojmë në shëndetësinë primare efikase e të shpejtë për çdo familje ku përfshihen: programi “Mjek për çdo familje”, shërbime të shpejta mjekësore dhe aparatura të reja, ndërtimin e qendrave të mjekësisë familjare, si dhe bonuse 200 euro për nënat e reja pas lindjes.”, tha ai.
Totaj u zotua se gjatë mandatit të tij, Prizreni do të ketë infrastrukturë moderne dhe parkingje për çdo familje dhe turist, do të krijohet një Fond i veçantë për ekonominë e qytetit dhe tërheqjen e investime të huaja, do të formohet Inkubatori “Hackerspace” për mbështetjen e talentëve të rinj në fushën e teknologjisë, do të mbillen mbi 10 mijë drunj të rinj, do të ndërtohen 50 kilometra shtigje për çiklizëm, do t’u ofrohen subvencione blegtorëve e bujqve, do të lansohet projekti i “10 fshatrave turistikë”, si dhe do të dyfishojë investimet në kulturë, rini dhe sport.
“Të dashur qytetarë, po garoj për kryetar sepse besoj që Prizreni ka ende ditët më të mira para vetes. Ne bashkë do ta ringrisim arsimin, shëndetësinë, ekonominë dhe rindërtojmë infrastrukturën. Do të qeverisim bashkë në mënyrë transparente dhe llogaridhënëse. Bashkë do të marrim çdo vendim. Do të japim gjithçka nga vetja, që ta bëjmë Prizrenin një vend për të jetuar, për të punuar dhe për ta shijuar. Zotohem para jush, bashkëqytetarë të mi se do të shërbej me nder e me përgjegjësi të madhe. Bashkë mund të bëjmë shumë për Prizrenin sepse jemi Bashkë për Prizrenin.”, përfundoi Totaj.