Lajme

Shaqir Totaj: PDK do të mbrojë vullnetin e votuesit, KQZ të rivlerësojë në tërësi procesin

01/19/2026 11:27
nga:G B

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj është shprehur i zhgënjyer me parregullsitë e evidentuara nga procesi i rinumërimit të votave në këtë komunë.

Përmes një reagimi në Facebook, Totaj tha se çdo tentim për tjetërsim të votës është cenim i drejtpërdrejtë i vullnetit të lirë të qytetarëve, i demokracisë zgjedhore dhe i vetë demokracisë së brendshme partiake.

Tutje, Totaj tha se si kryetar i degës së PDK-së në Prizren, do të kërkojë përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë, sepse sipas tij, çdo shkelje është përgjegjësi individuale dhe duhet trajtuar në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi.

“Kjo nuk është PDK-ja për të cilën kemi punuar dhe investuar me vite, dhe këto veprime nuk e përfaqësojnë frymën dhe vlerat tona”, shtoi ai.

Ai u drejtua qytetarëve se Partia Demokratike e Kosovës di dhe do ta mbrojë vullnetin e votuesit dhe demokracinë në Kosovë, duke vepruar si gjithmonë me vendosmëri dhe përgjegjësi për të mirën e vendit dhe të ardhmes së tij.

“Parregullsitë e shfaqura tek të gjitha partitë, diku me shume e diku më pak, kërkojnë edhe një rivlerësim të tërësishëm nga KQZ-ja dhe institucionet përkatëse të procesit të numërimit dhe menaxhimit të kujdesshëm që të ruhet deri në fund mbarëvajtja dhe paprekshmëria e zgjedhjeve”, shkroi ai.