Lajme

Shaqir Totaj kandidat i PDK-së për kryetar të Prizrenit, ditëve të ardhshme zyrtarizimi!

05/19/2021 19:33
nga:M K

Duket se çështja e kandidatit të PDK-së për kryetar të Prizrenit është veçse e mbyllur.

Kjo pasi, Shaqir Totaj tashmë ka marr besimin e degës së kësaj partie për të kandiduar në vjeshtë për të parin e kryeqytetit historik, përcjell GazetaBlic.

Ditëve të ardhshme pritet edhe zyrtarizimi, ndërsa përkundër faktit se flitej që do të ketë kundërkandidat brenda degës, nuk do të jetë kështu.

Këtë për GazetaBlic e konfirmoi edhe zëdhënësja e degës së PDK-së në Prizren, Jona Hoxhaj, e cila tha se me t’u zyrtarizuar emri i Totajt, do të fillojnë me planin e tyre të qeverisjes, plan me të cilin edhe do të kërkojnë votën e qytetarëve.

“Kryesia e PDK-së, dega në Prizren, unanimisht dhe në koordinim të plotë me të gjithë anëtarët e kryesisë dhe gjithashtu me pëlqim gjithëpërfshirës, tashmë ka një kandidat që do të jetë në garë për Prizrenin, ai është kreu aktual i degës, Shaqir Totaj. Gjithsesi, së shpejti do të dalim me njoftim zyrtar”, tha fillimisht Hoxhaj.

Ndërkaq, ajo shtoi se brenda degës po punojnë maksimalisht që ta rikthejnë komunën, ndërsa me atë edhe prosperitetin e dinjitetin qytetarëve.

“Ne të gjithë së bashku brenda kryesisë dhe gjithë anëtarësia po punojmë për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme dhe t’ua kthejmë prosperitetin e dinjitetin qytetarëve të Prizrenit. Pra, të gjithë jemi në përkrahje të Shaqir Totajt. Pas zyrtarizimit të kandidaturës, e që do të ndodhë shumë shpejt, do të fillojmë me plane konkrete dhe shpalosjen e programit e të konceptit qeverisës”, përfundoi ajo.

LEXO EDHE:

LAJMI I FUNDIT: Donika Gërvalla nis me shkarkime masive të ambasadorëve: Vetëm sot i shkarkoi 13- 15 prej tyre

/GazetaBlic/