Lajme

“Shansi i mirë për Kosovën”, deputetja e AAK-së: Të aktivizohen të gjithë mekanizmat për anëtarësim në KE

05/12/2022 18:45
nga:G B

Kosova synon të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Andaj, sot është bërë edhe dorëzimi i aplikimit për tu bërë pjesë e këtij këshilli.

Aplikimi është bërë nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila pas aplikimit tha se Kosova është vendi më pro-evropian në rajon dhe e meriton të jetë pjesë e KE-së, duke shtuar se sot hapet një kapitull i ri për Kosovën dhe se me këtë anëtarësim, forcohen të drejtat e qytetarëve të Kosovës.

Për këtë aplikim për anëtarësim në KE ka pasur reagime mjaft pozitive, ku shpresohet që Kosova të pranohet.

Aplikimit të Kosovës në KE i është gëzuar edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila njëherësh është anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane.

Në një prononcim për Gazeta Blic, ajo ka thënë se fillimi i luftës në Ukrainë e suspendimi i Rusisë nga Këshilli i Evropës, është mundësi e mirë për Kosovën dhe duhet aktivizuar të gjithë mekanizmat në këtë drejtim.

“Të gjithë i gëzohemi faktit se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ndryshimet gjeopolitike dhe fillimi i luftës në Ukrainë, suspendimi i Rusisë nga Këshilli i Evropës është shans i mirë për Kosovën sepse tash Rusia nuk ka shans ta stopojë këtë nismë. Tash duhet të aktivizohen të gjitha mekanizmat e Kosovës për lobim në këtë drejtim”, ka thënë Kadrijaj për Gazeta Blic.

Kujtojmë se Këshilli i Evropës e ka konfirmuar aplikimin për anëtarësim të Kosovës, derisa ka thënë se tashmë aplikimi po i transmetohet Komitetit të Ministrave në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës./Gazeta Blic/