Ka disa ditë që po kërkohet ndryshimi i udhëzimit nga Qeveria e Kosovës, gjegjësisht ga Ministria e Arsimit, e ku përmes këtij ndryshimi udhëzimi do të lejohej bartja e shamisë në shkolla, raporton Gazeta Blic.
Së fundmi, këtij debate i është bashkuar edhe Ismet Kryeziu nga KDI, e i cili ka kritikuar ashpër disa ‘burra’, të cilët po kërkojnë shami për fëmijët.
Sipas Kryeziut, kjo lëvizja fetare e paketuar si nismë për të drejtat e njeriut, e këtyre burrave në përkrahje të shamisë për fëmijë, nuk është iniciativë për të drejtat e fëmijëve, e më së paku iniciativë për të drejtat e vajzave.
“Gratë dhe vajzat janë kategoria me të drejtat me të diskriminuara në shoqërinë tonë, edhe si pasojë në përditshmëri diskriminimi dhe cenimi i të drejtave të tyre paguhet me çmimin e jetës së tyre. Por këtyre burrave s’ju bëjnë aspak përshtypje këto të drejta e as jetët e këtyre vajzave”, ka shkruar Kryeziu.
Sipas tij ata ( burrat) s’janë të angazhuar për të drejtat e vajzave, por ata janë të angazhuar në një lëvizje fetare për legalizimin e pikëpamjeve dhe bindjeve të tyre, se si ata e shohin rendin kushtetues dhe orientimin e shtetit kosovar.
“Janë të angazhuar për një shtet religjioz dhe për ta përmbysur idenë e kamotshme të shqiptarëve për shtetin komb”, ka vlerësuar ai..


