Lajme

Shala: Vizita e Sveçlës dhe e Haxhiut te vila e Radoiçiqit nuk ishte e nevojshme, s’duhet të politizohet

04/05/2024 20:54
nga:Y I

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka thënë se vizita e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, te vila e Radoiçiqit e cila u sekuestrua sot nga Policia e Kosovës nuk ishte e nevojshme.

Shala në emisionin “FIVE” ka thënë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, pasi puna e madhe është kryer nga prokuroria e gjykata dhe se Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës nuk do mund të afrohej atje pa vendimin e gjykatës.

“Nuk ka pasë nevojë Haxhiu të shkojë atje, Prokuroria e Gjykata e kanë kryer punën, agjencia nuk do ishte afruar atje pa vendimin e Gjykatës, mirë që kanë shkuar, por nuk duhet të politizohet kjo çështje”, ka deklaruar Shala.