Lajme

Shala tregon se si do dukej një traktat mes Kosovës e Shqipërisë në fushën e sigurisë

08/15/2022 18:43
nga:G B

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një konferencë të përbashkët për media me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj ka propozuar që në mes Kosovës dhe Shqipërisë të ketë një traktat për mbrojtje të ndërsjellë në rast se cenohet siguria e dy shteteve.

Njohësi i sigurisë, Drizan Shala ka treguar modalitetet e një traktati të tillë të mundshëm.

I ftuar në “Ditari” në Tëvë 1, Shala thotë se marrë parasysh shembujt e njëjtë në botë, ky lloj traktati do të përbëhej nga gjashtë nene.

Sipas tij, në nenin e parë do të specifikohej zgjidhja e një konflikti të brendshëm kombëtar.

“Çështja e një traktati të tillë kemi parë si SHBA me Korenë e Jugut, me Japoninë respektivisht me Korenë është element si mund të kemi ne me shtetin shqiptar ku do të precizohet me nene të caktuar mund të jetë një traktat me 6 nene maksimalisht. Neni 1 ku konfliktet e brendshme kombëtare zgjidhen në aspektin paqësor kur dihet se edhe Shqipëria ka konflikte me Greqinë”, thotë ai.

Ndërkaq, neni 2 dhe 3, Shala thotë se do të kishin të bëjnë me dislokimin e forcave shqiptare në Kosovë, respektivisht edhe do të sqarohej elementi legjislativ.

“Pika e 2 është pozicionimi, dislokimi i forcave ushtarake dhe orientimi i atyre forcave sepse duhet të krijohet një bazë ushtarake e ushtrisë shqiptare brenda Kosovës siç është baza amerikane në Korenë e Jugut ku më pas edhe FSK do të kishte qasje në resurse tjera në rast fatkeqësie nevoje. Elementi 3 është legjislativ se forcat ushtarake që veprojnë në Kosovë, përdorimi i automjeteve të tyre, policia ushtarake pra janë një mori çështje teknike procedurale që përmbyllin një traktat të tillë”, shtoi ndër tjerash ai.

Tutje, Shala vlerëson se nënshkrimi i një traktati të tillë më shumë do t’i shërbente aspektit politik.

“Sa i përket iniciativës së propozuar që vetëm është mbetur në deklaratën e presidentes mendoj që një e tillë më shumë i shërben aspektit politik një tregues edhe për BE në qoftë se Kosova nuk avancon në rrugën e saj drejt Partneritetit për Paqe më pastaj si anëtare e përhershme e NATO-s duke i parë rrethanat e tensionimeve ndërkombëtare atëherë Kosova duhet zgjedhur një rrugë alternative modalitet si t’i qaset problemit. Çështja e sigurisë është shumë sensitive sa i përket asaj që Kosova ka një bashkësi ndërkombëtare me një mision nga OKB që është KFOR-i por nuk domethënë që është NATO në Kosovë sepse këtë shqiptarët e Kosovës nuk e kanë kuptuar”, thotë ai.

Po ashtu, njohësi i sigurisë thekson se për Kosovën do të ishte më mirë nëse do të orientohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Kroacia në aspektin e kapaciteteve ushtarake.

“Unë mendoj me Shqipërinë do të kishte me qenë një hap i mirë dhe një tregues por mendoj se duhet orientuar nga SHBA nga Kroacia si parntere serioze në kapacitete ushtarake sa i përket Ballkanit Perëndimor që mund ti bëj ballë ushtrisë së Serbisë”, shtoi Shala.