Lajme

Shala: Serbia do të insistojë në sulme si ai 24 shtatorit – institucionet kanë marrë masa adekuate për reagim ndaj agresionit serb

01/04/2024 20:45
nga:Sh R

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka folur në lidhje me paralajmërimet e krerëve të shtetit për sulme të reja në veri të vendit.

Shala në një prononcim për Gazeta Blic, tha se AKI në bashkërendim më partnerët strategjikë nga SHBA, kanë dëshmuar se në pjesën e Serbisë janë duke u trajtuar njerëz që janë të lidhur ngusht me politikën dhe njerëz të Vuçiqit.

“Agjencioni Kosovar i Inteligjencës në bashkërendim me partnerët tanë strategjikë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë dëshmuar, kanë faktuar dhe kanë argumentuar kërcimet të cilat janë në mënyrë sistematike, nga ana e palës serbe dhe që në pjesën e Serbisë janë duke u trajnuar dhe rigrupuar njerëz që janë të lidhur ngushtë me politikën destruktive dhe ca njerëz të Vuçiqit”, tha Shala për Gazeta Blic.

Tutje, ai thotë se në bazë të zhvillimeve politike në Serbi shihet se Serbia do të insistojë të krijojë përsëri situata si ajo e 24 shtatorit.

“Në bazë të zhvillimeve politike, zgjedhjeve që ishin në Serbi dhe deklarimin e Vuçiqit kjo po e jep sinjalin dhe po e forcon mesazhin që Serbia do të insistojë dhe të krijojë situata të tilla që ishte ballafaquar Kosova me 24 shtator 2023”, shtoi ai.

Shala thotë se institucionet e vendit kanë marrë masa adekuate për të parandaluar edhe reaguar kundër agresionit serb.

“Prandaj, deklarimet e Kurtit dhe Osmanit janë të bazuara tek AKI dhe partnerët strategjik, organet kompetente kanë marrë veprime të caktuara që çfarëdo forme mund të shpërfaqet agresioni serb në institucionet e Kosovës, institucionet kanë marrë masa adekuate për të parandaluar dhe reaguar karshi agresionit serb”, përfundoi Shala për Gazeta Blic.