Lajme

Shala: Pse KEDS po ndihmohet nga Qeveria e Feronikeli jo?

12/15/2021 22:23
nga:M K

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka thënë se edhe Feronikeli duhet trajtuar barabartë, njëjtë si po trajtohet KEDS.

Shala theksoi se shkaku i ndërprerjes së punës së kompanisë Feronikeli, mbetën pa paga mijëra të punësuar.

Madje ai theksoi se kur ka ngritur këtë shqetësim, ministri Murati pati deklaruar që “Feronikeli është kompani private dhe fitimet i merr vet e nuk i jep shtetit”.

Reagimi i plotë:

A është edhe Feronikeli në Kosovë?

Kur para dy muajsh është ngritur shqetësimi i ndërprerjes së punës së kompanisë Feronikeli, ku mbetën pa paga mijëra të punësuar, duke rrezikuar mirëqenien e familjeve të tyre, në njërën nga seancat e Kuvendit, e kam ngritur shqetësimin për trajtimin e kësaj problematike, dhe për çudi ministri Murati pati deklaruar që; “Feronikeli është kompani private dhe fitimet i merr vet e nuk i jep shtetit”!

Tash natyrshëm lindin pyetjet:

– A është edhe kompania KEDS private?

– Pse për këtë kompani një qeveri e terë janë duke u munduar t’i rrisin tarifat e energjisë në dëm të qytetarëve apo ta subvencionoj?

– Pse KEDS po ndihmohet nga qeveria e Feronikeli jo?

Në ekonominë e tregut, të gjitha bizneset duhet trajtuar barabartë.