Sporti

Shala para ndeshjes me Suedinë: E dimë se Dardanët gjithmonë i kemi mbrapa vetes

10/06/2021 19:24
nga:Lorik J

Dardanët do të zhvillojnë dy ndeshje të vështira.

Kombëtarja e Kosovës më 9 tetor është mysafire e Suedisë ndërsa tre ditë më vonë më 12 tetor e pret në shtëpi Gjeorgjinë.

Ekipi i Bernard Challandes po vazhdon me përgatitjet para këtyre dueleve, futbollisti Herolind Shala është shprehur optimist që mund të marrin pikë ndaj Suedisë.

“Stërvitjet po shkojnë mirë. Sot kemi punuar me intensitet shumë të madh dhe po përgatitemi maksimalisht për ndeshjen”.

“Atmosfera në Kombëtare gjithmonë është shumë e mirë dhe të gjithë jemi të kënaqur dhe po e presim me padurim ndeshjen me Suedinë”

“Normalisht presim një ndeshje të vështirë sepse e dimë se me çfarë ekipi do të ballafaqohemi. Suedia është një ekip me shumë cilësi, por mendoj se mund t’i befasojmë dhe kemi mundësi të marrim pikë”.

“E dimë se Dardanët gjithmonë i kemi mbrapa vetes dhe shpresoj të vijnë sa më shumë dhe besoj se do t’i bëjmë krenarë”, tha Herolind Shala.

Kosova do t’i zhvillojë tri ndeshje në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës “Katari 2022” në tetor.