Lajme

Shala: Opozita nuk po bën mjaftueshëm për ta rrëzuar Kurtin

12/15/2025 14:14
nga:N K

Analisti Azdren Shala ka folur në lidhje me rezultatet që pret nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Në një intervistë për GazetaBlic, ai ka thënë se pret pothuajse të njëjtin rezultat si në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Sipas tij, qytetarët do të ndëshkojnë Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje për bllokadën nëntëmujore, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se opozita do të shënojë rritje.

“Besoj që rezultati, për fat të keq, do të jetë pak a shumë i njëjtë,” tha Shala.

“Pres një rënie të vogël për Vetëvendosjen, pasi qytetarët do ta ndëshkojnë për këtë bllokadë. Në sytë e qytetarëve, Kurti është fajtor, Vetëvendosja fajtore pse nuk kemi institucione, por kjo nuk do të përkthehet në një rritje të ndjeshme të partive PDK, LDK dhe AAK,” shtoi ai.

Shala theksoi se opozita është inerte dhe jo ambicioze, duke mos bërë sa duhet për të rrëzuar Qeverinë Kurti.

“Ne kemi një opozitë gati-gati inerte, ose më mirë të them ish-opozitë. Ata nuk po bëjnë mjaftueshëm për të rrëzuar Kurtin. Ambicia e tyre është shumë e vogël. Nuk duhet të jenë thjesht parti e dytë apo e tretë për t’i ulur përqindjet Kurtit; duhet të hyjnë në garë me shansin për të fituar krejtësisht. Këta nuk e kanë këtë ambicie. Prandaj, për mua, rezultati do të dalë pak a shumë i njëjtë,” përfundoi Shala për GazetaBlic.