Lajme

Shala-Muratit: Të gjendet zgjidhje për Feronikelin, 1 mijë familje janë lënë në skamje e pa të ardhura

10/19/2021 20:09
nga:M K

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka replikuar sot në drejtim të ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Shala ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit Murati kur pyeti se “Çfarë fiton shteti nga një ndërmarrje private industriale sot?”.

“Pra një ministër që nuk e din se shteti fiton me ligj të rregulluar, se 1 mijë punëtorë janë qytetarë të Kosovës e që sot janë në shtëpi e 1 mijë familje i ka lënë në skamje pa të ardhura. E një ministër që kthehet 20 vite pas te privatizimi në kohën e UNMIK-ut, e që njeri që e ka privatizuar është anëtar i Vetëvendosjes. Këqyrni pak. Një ministër që në mungesë të argumenteve del dhe fyen opozitën s’ka mjerim më të madh qeveritar dhe politik”, tha Shala.

Tutje deputeti Shala tha se çmimet e energjisë në treg janë çmime globale të ndikuara, jo nga Qeveria por është obligim zyrtar shtetëzo të menaxhohet kriza.

“Ka bërë kompania e Feronikelit kërkesë dy herë të ju takoj me u kthy në tregun e rregulluar energjetik, kompania është kosovare në Drenicë mos keni paranojë për këtë. Ka kërkuar të kthehet në tregun e rregulluar energjetik, është kompani private dhe kërkon tregun e lirë. Çfarë të keqe ka që Qeveria t’ia mundësojë kësaj kompanie kthimin në treg. Pra nuk ia keni mundësuar që të jetë i barabartë në tregun e brendshëm”, shtoi tutje deputeti Shala.

Duhet përkujtuar që çështja e Feronikelit është diskutuar tash e sa kohë, por që nuk ka pasur ndonjë ndryshim në kuadër të saj.