Avokati Hasan Shala, në Gazeta reagoi ashpër ndaj procesit të votimit për presidenten, duke e cilësuar atë si një shkelje të rëndë dhe të qëllimshme të Kushtetutës së Kosovës.
Shala tha se gjatë seancës së mbrëmshme dhe të tjetër një ditë para saj, “me dy këmbë është shkelur Kushtetuta nga ana e 64 deputetëve dhe kryeministrit”. Ai theksoi se përgjegjësia bie mbi deputetët që nuk treguan integritet institucional për të kundërshtuar një proces që ai e konsideron të jashtëligjshëm.
“Askush nga ata 64 deputetë nuk pati guximin të reagojë, ndonëse shkelja ishte e hapur dhe evidente,” tha Shala.
Avokati shtoi se problemi nuk lidhet me emrin e kandidatit për president, por me procedurën e ndjekur gjatë hyrjes në votim. Ai vlerëson se janë shkelur jo vetëm dispozitat kushtetuese, por edhe ligjet në fuqi.
“Çështja është krejtësisht procedurale. Është cenuar rendi kushtetues me vetëdije të plotë nga ana e qeverisë dhe drejtuesve politikë,” u shpreh ai.
Në fund, Shala e cilësoi këtë veprim si një “atak të drejtpërdrejtë ndaj Kushtetutës së Kosovës”, duke kërkuar reflektim institucional dhe përgjegjësi për veprimet e ndërmarra.


