Partitë politike që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, kanë prezantuar listat e kandidatëve për deputetë.
Në emisionin “Ora Shtatë”, analisti Azdren Shala ka komentuar listën e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe aderimet në këtë parti, transmeton Klankosova.tv.
Sipas tij, Lista Guxo është bërë parastacion i Lëvizjes Vetëvendosje, teksa shtoi se ata që duan të mbesin edhe Rugovistë por edhe me Albin Kurti, futen në atë parti.
“Listën e njoh pak a shumë, përveç atyre dy aderimeve që kanë ardhur nga pjesa e medias, Blerim Gashi dhe Viktor Buzhala. S’mendoj që kanë qenë aderime parimore politike, por strategji e tyre personale për t’u bërë deputetë”.
“Të dy prej kohësh kanë avokuar për VV-në, dhe në fund i pamë te Lista Guxo. Lista Guxo është bërë si një farë parastacioni i Vetëvendosjes, ata që edhe duan të mbesin Rugovista, edhe me Albin Kurtin, asocimin moral e kanë Listën Guxo. E kjo nuk ka asnjë lloj kuptimi, sepse Albin Kurti është i kundërti i asaj që ka menduar dhe vepruar Rugova”, tha ai.


