Lajme

Shala: Kurti po lëshon pe, njësoj si në rastin e targave

06/01/2023 23:57
nga:G C

Asdren Shala nga Partia Socialdemokrate, thotë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, po lëshon sërish pe për veriun si në rastin e targave, ashtu edhe tani në tensionimet e komunave veriore.

Prandaj, Shala vlerësoi se në këtë mënyrë, Kurti u ka prirë aleatëve në kontekstin negativ, duke shtuar se kryeministri është duke e përdorur kushtetutën si instrument politik.

“Në kontekstin negativ, Kurti u ka prirë aleatëve. Ka shkuar për targat, u tërhoq, sot kemi atje targa RKS. I ka dërguar kryetarët me forcë në zyre në veri, ka krijuar tensione, tani përsëri po tërhiqet, ka zgjedhje të reja. Zgjedhjet do duhej ta mbaheshin pasi të zbatohet marrëveshja në Bruksel. Amerikanët i kanë quajtur kryetarët teknikë, por Kurti ka refuzuar t’i quajë ashtu, ka dashur t’i tregojë amerikanëve që nuk janë teknikë, por legjitim. Kurti edhe kushtetutën është duke e përdorur si instrument politik. Po flasim për një kryeministër që e keqpërdor çdo instrument të pushtetit”, deklaroi Shala në emisionin “Infonata” në Tëvë1.