Sa i përket deklarimeve të kryeministrit Kurti, eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se ai ka hyrë në veri “all in” dhe me çdo kusht dëshiron ta mbajë pozicionin e tij dhe nuk do të tërhiqet nga kërkesat e tij.
“Mendoj se deklarimet e kryeministrit Kurti në CNN dhe në The Guardian, e kanë dëshmuar, e kanë plotësuar argumentin se ai tashmë e ka marrë rrugën e tij të karrierës politike. Pra ka hyrë në veri “all in” dhe ai me çdo kusht dëshiron ta mbajë pozicionin e tij për t’i mundësuar në të ardhmen ndoshta ndonjë lëvizje politike, për ta normalizuar ndonjë raport i cili de facto është i prishur. Pra, kryeministri Kurti nuk do të tërhiqet nga kërkesat e tij drejtuar edhe opinionit botëror, që më mirë të mbaj situatën të tillë me policë, sesa t’ia lejojë Kosovës të bie në dorë të grupeve fashiste”.
Sipas tij, veriu po shndërrohet në një status neutral të mbikëqyrur nga BE dhe do të kthehet edhe Rezoluta 1244.
“Por mos të harrojmë një gjë, veriu tashmë de facto është duke u shndërruar dhe rrjedhur në një status neutral të mbikëqyrur nga BE, por njëkohësisht do të inkorporohet edhe Rezoluta 1244, meqenëse KFOR-i e ka mandatin e saj për të ofruar siguri, garanci në Mitrovicën veriore dhe mund të rikthehet UNMIK-u me komponentën e saj administrative, për t’iu mundësuar që qytetarët e komunitetit serb në atë pjesë të marrin shërbime të cilat janë të nevojshme të ta. Çështjet janë në regres në aspektin politik, ndërsa janë status quo në aspektin e sigurisë”, deklaron Drizan Shala./Gazeta Blic/


