Lajme

Shala i PSD-së: Nuk është e rastësishme që u lëshua urdhërarrest sot ndaj Dardan Molliqajt

06/15/2022 18:09
nga:Genita C

Anëtari i PSD-së, Azdren Shala thotë se lëshimi i urdhërarrestit ndaj kreut të kësaj partie Dardan Molliqajt ka të bëjë me protestën e nesërme të veteranëve të luftës.

“Një ftesë e tillë nga gjykata nuk ekziston, ata kanë shkuar direkt me urdhërarrest dhe jorastësisht sot sepse nesër ka një protestë ku PSD dhe Molliqaj e mbështesim haptaz dhe i inkurajojmë të marrin sa më shumë njerëz pjesë”, tha Shala në Frontal të T7.

Ai tha se Molliqaj do të dalë në protestë dhe pritet të shihet nëse policia sipas tij do ta “kidnapojë” sikur herën e fundit.

“Dardani me siguri do të del në protestë përshkak që është në procedura të rregullta sepse s’ka pengesë ligjore që e pengon me dalë në protestë pastaj policia e Kosovës pritet të shihet se si do të veprojë a do ta kidnapojë prapë si herën e fundit apo do të shkojë në procedura të rregullta mbetet të shihet”, ka thënë Shala.

Për shkak se Dardan Molliqaj kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe i akuzuari tjetër Fatos Sahiti kanë munguar në seancën e së mërkurës, ka dështuar sërish të nis gjykimi në rastin ku të njëjtit ngarkohen për përleshjen fizike mes tyre dhe deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi, pas një debati televiziv më 2019. Ndaj Molliqajt dhe Sahitit, gjykata ka lëshuar urdhërarrest.

Në seancë mungoi edhe i dëmtuari Haki Abazi, për të cilin gjykatësja e rastit Vlora Pacolli-Rexhepi tha se gjykata ka pranuar një parashtresë, përmes së cilës i njëjti ka njoftuar se është i angazhuar jashtë vendit.

Në seancë e pranishme ishte avokatja e Abazit, Sadije Mjekiqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Molliqaj, gjykatësja Pacolli-Rexhepi tha se gjykata pas pranimit të raportit nga Policia e Kosovës se i njëjti nuk është i qasshëm në adresën e dhënë nga gjykata, më 1 qershor ka lëshuar urdhërarrest ndaj tij, i cili do të mbetet aktiv për një vit.